Mundësi për partneritete të reja ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe ShBA-ve
Delegacioni i bizneseve të Kosovës i cili qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka vizituar edhe shtetin e Nju Jorkut, me ç’rast ka zhvilluar takime me përfaqësues të asociacioneve të biznesit, organizata të inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe biznese individuale në këtë shtet amerikan.
Delegacioni i bizneseve nga Kosova i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane dhe në shoqërim të konsulles së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, u takua me Yvonne Bendinger-Rothschild, drejtoresh ekzekutive e Odës Ekonomike Evropiano Amerikane me seli në Nju Jork.
Në takim u diskutua për progresin e shënuar në Kosovë në aspektin e të bërit biznes, por edhe lidhur me kërkesat që kompanitë e Kosovës kanë për investitorët amerikanë, ndërsa Bendinger-Rothschild u zotua për mbështetje të kompanive kosovare, përfshirë edhe gjetjen e partnerëve afaristë.
Me mbështetje të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës, delegacioni pati mundësi të vizitojë edhe organizatën SAP Next Generation në Nju Jork e cila drejton programin e inovacionit dhe ndërmarrësisë që mes tjerash angazhohet edhe për implementimin e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Aty u pritën nga zëvendëspresidentja Ann Rosenberg, e cila sqaroi për punën e jashtëzakonshme që bëhet në atë qendër për nxitjen e inovacioneve.
Ajo ka premtuar edhe përkrahjen e saj për zhvillimin e një programi të ngjashëm edhe në Kosovë.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës organizoi edhe një pritje për bizneset nga Kosova të cilët përfaqësonin sektorë si prodhimi, tregtia, shërbimet konsulentë të biznesit, shërbimet e teknologjisë së informacionit, por edhe profesionistët dhe ndërmarrësit shqiptarë, anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Ndërmarrësve Shqiptarë me seli në Nju Jork.
/Epoka e re/