Mundësi transferi në UP për stafin akademik që punon në universitetet më të mira botërore
Me miratimin e Statutit të ri të Universitetit të Prishtinës, është hapur, për herë të parë, mundësia për transferimin në UP të anëtarëve të personelit akademik, që janë në marrëdhënie të rregullt pune në cilindo nga top 400 universitetet më të mira të botës.
Sipas nenit 151(1) të statutit: “Personeli akademik që është në marrëdhënie të rregullt pune në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë, sipas renditjes së bërë nga ‘Times Higher Education World University Rankings’ ose ‘QS World University Rankings’, ka të drejtë transferimi në universitet pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik.”
Sipas statutit, “kërkesa për transferim bëhet me propozimin e rektorit, dekanit ose këshillit të njësisë akademike përkatëse dhe miratohet nga senati”.
Në këtë rast, kandidatët e interesuar, që e plotësojnë kriterin e mësipërm, mund të shprehin interesin te cilido prej këtyre autoriteteve, pra rektori, dekani ose këshilli i fakultetit përkatës.
Kjo është një masë e re institucionale, që synon të hapë universitetin dhe të zgjerojë mundësitë për të tërhequr kuadrin më të përgatitur, cilësor dhe konkurrues akademik kudo që ai është, me synim të veçantë shkencëtarët e studiuesit nga diaspora.
Statuti, po ashtu, parasheh për herë të parë mundësinë e zgjedhjes së personelit akademik në formatin e programit për “kthimin e trurit” (“brain gain”).
Detajet procedurale të procesit do të përcaktohen së shpejti, sipas kërkesës së statutit, përmes një rregulloreje të veçantë të senatit, përpara shpalljes së thirrjes publike. Qëllimi i këtij programi është rekrutimi i kuadrit të talentuar dhe ndërkombëtarisht konkurrues, që ka kryer së paku një apo më tepër nivele studimi jashtë vendit.
Veprimet e këtilla i mundësojnë UP-së për t’u konsoliduar si institucion udhëheqës në arsimin e lartë në Kosovë e në rajon, për të ngritur e zgjeruar profilin akademik dhe pozicionin institucional në planin ndërkombëtar, si dhe për të pasur një status dinjitoz në rrethin e partnerëve nga e mbarë bota, që tërheq dhe afron mendjet më të ditura e më të ndritura.