Mundësia e fundit: Cali i drejtohet Supremes, kërkon të shpallet i pafajshëm ose rigjykim
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, edhe zyrtarisht e ka dorëzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Hagës.
Në kërkesën e avokatit Julius Von Bone, ai ka kërkuar që Cali të shpallet i pafajshëm ose rasti të kthehet në rigjykim, raporton Nacionale.
Kjo sipas tij, duke u bazuar në shkelje ligjore e kushtetuese që janë bërë në dy shkallët e para e ku Mustafa së pari u dënua me 26 vjet burg, kurse Apeli e uli në 22.
Sipas ankesës së avokatit të Mustafës, në pikën 1, 2 dhe 3, aktgjykimet e Speciales kanë pasur shkelje të Ligjit, Kushtetutës dhe Konventës për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë ankesë, theksohet se rasti i Mustafës nuk është gjykuar siç duhet. Kjo duke përmendur dyshimet rreth një vrasje, ku në trupin e viktimës ishte gjetur një plumb i cili nuk dihej se kujt i takonte.
“Trupi gjykues arriti në përfundimin se Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-s ishin përgjegjës kryesor për keqtrajtim të rëndë dhe refuzim të ndihmës mjekësore, që çoi në vdekjen e viktimës. Megjithatë, sa i përket vrimave të plumbave në trupin e viktimës, kishte paqartësi nëse ato ishin shkaktuar nga pjesëtarë të BIA-s apo nga forcat serbe. Duke zbatuar parimin ‘in dubio pro reo’ (favorizimi i të akuzuarit në rast dyshimi), Trupi Gjykues supozoi se forcat serbe qëlluan viktimën. Përkundër këtij supozimi, Apeli sugjeron që Trupi Gjykues duhet të kishte marrë parasysh nëse ndërhyrja e forcave serbe përbënte një veprim të palës së tretë që thyente zinxhirin e shkakësisë, siç u ngrit në apel”, thuhet ndër tjerash në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Mustafës në Supreme.
Ndërsa, në pikën e pestë, Mustafa pretendon se ka shkelje të të drejtave të tij të cilat ia garanton Kushtetuta. Sipas tij, që kur ishte shpallur aktgjykimi i Apelit ndaj tij, drafti i përkthyer në gjuhën e të akuzuarit ishte i disponueshem nga data 12 shkurt 2024.
Si rezultat, Mustafa ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim ose të shpallet i pafajshëm.
Vendimi i shkallës së parë dhe Apelit
Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale e kishte ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, duke e përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.
Vendimi për ulje të dënimit ishte bërë i ditur nga kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, të enjten, në sallën e gjyqit në Hagë ku i pranishëm ishte edhe Mustafa.
“(Paneli i Apelit)Anulon dënimin me 10 vjet burgim në lidhje me pikën 1 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 8 vjet burgim; anulon dënimin me 22 vjet burgim në lidhje me pikën 3 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 20 vjet burgim; anulon dënimin me 25 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 22 vjet burgim. Anulon dënimin e njësuar me 26 vjet burgim për zotin Mustafa dhe cakton një dënim të njësuar me 22 vjet burgim për zotin Mustafa, duke kaluar kohën e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryetarja e Apelit, Michele Picard, duke sqaruar se verdikti për fajësinë e tij për pikat 1, 3 dhe mbetet në fuqi porse vetëm është ulur dënimi.
Shkalla e parë e kishte dënuar Mustafën me 26 vjet burgim.
Problemet me avokatë
Mustafa e kishte bërë edhe ndryshimin e avokatit, raporton Nacionale.
‘Cali’ në shkallën e fundit të ankesës, do të mbrohet nga avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra.
Mustafa e kishte larguar avokatin e mëhershëm Julius von Bone, i cili dështoi në secilën pikë të ankesës në Gjykatën e Apelit.
Avokatja e re e Mustafës ka bërë të ditur se pritet të ankohet në Gjykatën Supreme në Hagë. Megjithatë, për këtë ka kërkuar një afat shtesë në ankesën e saj, ndryshe nga ai që është i paraparë me ligj. Këtë e ka arsyetuar edhe me faktin se Mustafa, ende nuk e ka pranuar aktgjykimin në gjuhën shqipe.
“Ekipi i ri i mbrojtjes gjithashtu do të kërkojë kohë adekuate për t’u konsultuar me z. Mustafa dhe për të marrë udhëzimet e tij. Mirëpo, z. Mustafa ende nuk e ka pranuar aktgjykimin e ankesës në gjuhën që ai e kupton, përkatësisht në gjuhën shqipe. Kjo vështirësi shkakton arsyen e katërt pse ekziston një shkak i mirë për një kohë më të gjatë për ankesë. Duke pasur parasysh se versioni në gjuhën shqipe i aktgjykimit u vu në dispozicion vetëm rreth gjashtë (6) muaj pas versionit në anglisht, në mënyrë të arsyeshme pritet që përkthimi i aktgjykimit të apelit të mos zgjasë më shumë se gjashtë (6) muaj.12 Prandaj, nëse Periudha e parë e kërkuar e zgjatjes prej 180 ditësh shtesë është miratuar, pjesa më e madhe e kësaj periudhe do të kërkojë që z. Mustafa të japë udhëzime bazuar në versionin anglisht të Aktgjykimit të Apelit. Natyrisht, Mbrojtja do të punojë në këtë vështirësi gjuhësore për një periudhë më të vogël nëse plotësohet kërkesa alternative prej 90 ditësh nga dhënia e Aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Mustafës.
Megjithatë, trupi gjykues refuzoi kërkresën që të ndryshohet avokatja nën dyshimet për konflikt të interesi, pasi avokatja në fjalë e mbron edhe Jakup Krasniqin në Hagë.