Mungesa e ambasadorëve në pritjen për Ditën e Çlirimit, reagon Presidenca
Këshilltari për Media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka thënë se të gjitha shtetet e Quint-it kanë pasur përfaqësues në organizimin e përbashkët nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Kupina thotë se vendet e ndryshme kanë pasur përfaqësim nga ambasadorë e zv.ambasadorë.
“Pritja për nder të 12 qershorit ka qenë organizim i përbashkët i Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv.ambasadorë”.
Këshilltari për Media i presidentes Vjosa Osmani thotë se nuk është e vërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore.
“Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka deklaruar tutje Kupina.