Mungesa e gjumit sjell probleme me diabet, depresion e sulme në zemër
Shkencëtarët kanë zbuluar se mungesa e gjumit, rrit rrezikun për sëmundjen e Alzhaimerit.
Është thënë edhe më parë, se mungesa e gjumit, është e keqe për shëndetin.
Nëse një njeri nuk fle sa duhet, ka problem me diabet, depresion, sulme në zemër dhe çrregullime tjera të padobishme.
Stili i vrullshëm i jetesës, si dhe kohëzgjatja e përdorimit të teknologjisë digjitale po vënë gjithnjë e më shumë në pah reduktimin e orëve të gjumit, si dhe shmangien e çrregullimeve të cilat mund të jenë të stadeve kalimtare, por edhe të formave të rënda. E nëse këto forma të rënda nuk marrin trajtimin e duhur herët, çojnë deri në pasoja fatale, pasi nxisin zhvillimin e sëmundjeve të tjera që prekin organet jetësore. Dëmtime të shumta shfaqen veçanërisht në shëndetin mendor, të cilat më pas bëhen pengesë edhe për kryerjen e aktiviteteve të përditshme.
Studiues në Universitetin e Shkencës dhe Shëndetit në Oregon, kanë gjetur se ndryshimet në formën dhe mungesën e gjumit, shtyjnë drejt fazave të ndryshme të çmendurisë.
Gjumi është i dobishëm për trurin, sepse i pastron toksinat e krijuara, të cilat nxisin Alzhaimerin.
Tek personat që flenë pak, ka rrezik se këto toksina nuk pastrohen, duke u bërë bashkë, për të krijuar bllokime të ndryshme në tru.
Ende nuk dihet konkret, se çfarë është lidhja mes mungesës së gjumit dhe kësaj sëmundjeje mendore, por dihet se njerëzit që vuajnë nga Alzhaimeri, flenë shumë pak.