Mungesa e konsensusit politik e la Kosovën pa institucione të përkohshme drejtuese! (22)

17 janar 2024 | 11:11

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (22)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së njëzetedy, ka folur për mungesën e konsensusit politik që la Kosovën pa institucione të përkohshme drejtuese, për angazhimin e kryeministrit Thaçi për mbështetjen ndërkombëtare për transformimin e një pjese të UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Bardhyl Mahmuti gjithashtu ka folur edhe për raportet që kishte Qeveria e Përkohshme e Kosovës me strukturën e Misionit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Kosovën (UNMIK). Mahmuti në këtë intervistë tregon se pse Bernard Kouchner ishte i vetmi që kishte kompetencë të fliste për Kosovën në skenën politike ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Një ndër hapat e parë që ndërmorën autoritetet ndërkombëtare në Kosovë pas vendosjes së pranisë civile dhe ushtarake ishte përpjekja për “çarmatosjen e UÇK-së”. A patën nevojë ndërkombëtarët për autoritetin e kryeministrit Thaçi për t’i bindur komandantët e zonave operative dhe anëtarët e Shtabin e Përgjithshëm që të pranonin këtë proces, apo kishte arsye të tjera të përfshirjes së tij në këtë proces?
Bardhyl Mahmuti: Ndërhyrja e kryeministrit Thaçi në këtë proces nuk kishte të bënte me ndikimin e tij në strukturat ushtarake të UÇK-së, por për arsye të garancive gojore që kishte marrë nga diplomatët amerikanë për ruajtjen e një forme të forcave të armatosura të Kosovës, në kohën kur ishte udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Ai u angazhua maksimalisht në këtë proces dhe arriti të sigurojë mbështetjen ndërkombëtare për transformimin e një pjese të UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa një pjesë tjetër ta përfshihej në kuadër Policisë së Kosovës e cila, me asistencën ndërkombëtare, u ndërtua si strukturë profesionale e ruajtjes së rendit publik. Fatmirësisht pjesa dërmuese e Shtabit të Përgjithshëm e kuptuan rëndësinë që kishte krijimi i TMK-së si bërthamë e ushtrisë së ardhshme të Kosovës.

“Epoka e re”: A pati të tillë që nuk e pranuan këtë transformim?
Bardhyl Mahmuti: Krijimi i UÇPMB-së, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe organizatës me akronim AKSH janë indikatorë të mungesës së konsensusit në radhën e strukturave ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mendoj se kemi pasur fat që në momentet kyçe për Kosovën, gjenerali Agim Çeku ishte në krye të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Përndryshe rrjedhat kishin mundur të merrnin kahe negative.

“Epoka e re”: Cilat ishin raportet që kishte Qeveria e Përkohshme e Kosovës me strukturën e Misionit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Kosovën (UNMIK)?
Bardhyl Mahmuti: Raportet ishin tepër të mira, por problemi qëndronte në cenimin e legjitimitetit të Qeverisë së Përkohshme. Megjithëse kishte një marrëveshje të forcave politike në Rambuje për krijimin e kësaj strukture qeverisëse, LDK-ja e Ibrahim Rugovës nuk pranoi ta zbatonte. Nuk do të hyj të gjykoj për arsyet e një veprimi të tillë për arsye se nuk i di të gjitha gjërat që janë zhvilluar rreth kësaj çështjeje. Por atë që e shihnim në kontakte me jashtë dhe me përfaqësuesit e UNMIK-ut, mospërfshirja e LDK-së në këtë qeveri ishte pengesë që të njiheshim si përfaqësues legjitim të Kosovës.

“Epoka e re”: Kur u emëruat ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës në Qeverinë e Përkohshme ju dhatë një deklaratë nëpërmjet secilës ftonit LDK-në t’i bashkëngjitej qeverisë.
Bardhyl Mahmuti: Sipas asaj që më ishte thënë, në marrëveshjen që kishin pasur forcat politike shqiptare në Rambuje, Ministria e Punëve të Jashtme duhej t’i takonte LDK-së. Për këtë arsye, në deklaratën e parë pas emërimit tim unë sqarove se kam pranuar këtë funksion në mungesë të pranisë së tyre. Por nga momenti që do të pranojnë të jenë pjesë e Qeverisë së Përkohshme unë u shpreha pa asnjë ambiguitet se do t’ia lëshoja detyrën personit që do të ngarkohej nga kjo parti. Madje u bëra thirrje që të bashkoheshin në interes të proceseve që na dilnin si sfida të rënda përpara!

“Epoka e re”: Deri në fund, LDK-ja refuzoi të bëhej pjesë e Qeverisë së Përkohshme! Si e shihni veprimin e tillë?
Bardhyl Mahmuti: Nuk më takon të gjykoj për një marrëveshje pjesë e secilës nuk kam qenë. Mirëpo mungesa e konsensusit brenda forcave politike shqiptare në Kosovë bëri që, më 31 dhjetor 1999, të pushojë funksionimin e vet Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Krijimi i Këshillit administrativ nën drejtimin e Bernard Kouchner-it ku u përfshinë LDK-ja, PDK-ja dhe LBD-ja (më vonë edhe Rada Trajkoviq si përfaqësuese e serbëve të Kosovës) i dha fund mundësisë që Kosova të kishte zërin e vet në skenën politike ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Në çfarë kuptimi Këshillit administrativ i krijuar nga UNMIK-u, pamundësoi Kosovën të kishte zërin e vet në skenën politike ndërkombëtare?
Bardhyl Mahmuti: Gjatë gjithë kësaj kohe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovë, Bernard Kouchner ishte i vetmi që kishte kompetencë të fliste për Kosovën. Të gjithë liderët e tjerë mund të flisnin vetëm në emër të partive politike që udhëhiqni.

“Epoka e re”: Mendoni se mungesa e konsensusit brenda forcave politike shqiptare të Kosovës ia pamundësoi autoriteteve ndërkombëtare të pranonin Qeverinë së Përkohshme si autoritet legjitim të Kosovës?
Bardhyl Mahmuti: Jam i sigurt, sepse ata na pritën deri më 31 dhjetor 1999 që të arrinim një gjë të tillë. Unë kam qenë pjese e diskutimeve të shumta me Bernard Kouchner-in rreth kësaj teme dhe e di se pa marrë parasysh kush do të drejtonte Qeverinë e Kosovës, nëse ajo do të përkrahej nga të gjitha forcat politike, do të njihej si autoritet legjitim deri në zgjedhjet e lira që do të organizoheshin në përputhje me rezolutën 1244.

“Epoka e re”: A e ka dëmtuar Kosovën mungesa e zërit të saj në skenën politike ndërkombëtare?
Bardhyl Mahmuti: Po, në shumë aspekte! Sikur të ishim të gjithë të një qëndrimi politik, faza kalimtare do të zgjaste tri vite dhe procesi i zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës do të fillonte shumë më herët. Në ndërkohë kanë ndodhur ngjarje shumë të rënda në skenën politike ndërkombëtare, kur Kosova do të duhej të fliste me një gjuhë, apo në rrafshin e brendshëm, ku margjina e veprimeve tona ishte tejet e kufizuar.

“Epoka e re”: Për cilat ngjarje e keni fjalën?
Bardhyl Mahmuti: Në rrafshin e skenës politike ndërkombëtare, atentatet terroriste të 11 shtatorit 2001 krijuan një kontekst të ri ku dinamika e diplomacisë së shteteve perëndimore u zhvendos gjetiu. Rrethanat e reja i mundësuan Serbisë t’i rikthehet fushatës së tërbuar kundër nesh dhe të aktivizojnë tërë arsenalin propagandistik për të prezantuar Kosovën si trampolinë e rrezikut që i kanoset perëndimit nga fondamentalizmi islamik. Ndërkaq në kuadër të territoreve shqiptare në Kosovë, në Luginë të Preshevës dhe ne Maqedoni, Serbia dhe shërbimet sekrete jugosllave mobilizuan agjentët e tyre të përkatësisë etnike që të punojnë në përforcimin e imazhit të “shqiptarit islamik”! Fatkeqësisht veprimet e disa shqiptarëve çuan ujë në mullirin që bluante miell për gatesat e kuzhinës serbe!

“Epoka e re”: Ju flisni për rikthim të fushatës serbe për të prezantuar Kosovën si trampolinë e rrezikut që i kanoset perëndimit nga fondamentalizmi islamik! Siç e thatë më lartë, kjo akuzë ishte e pranishme gjatë vitit 1997-1998. A pati momente kur kjo akuzë u hoq nga arsenali propagandistik i Serbisë?
Bardhyl Mahmuti: Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe për gjoja “instruktorë të fondamentalizmit islamikë, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë, siç kishin shpresuar udhëheqësit e propagandës së regjimit të Beogradit. Përveç disa artikujve në gazeta, ku shihej ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” kishin dështuar. Zhgënjimin e autoriteteve serbe për këtë dështim e shprehu publikisht sekretari federativ i atëhershëm i informacionit, Goran Matić (Matiq). Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Medjunarodna politika”, të datës 29 gusht 1998, ai deklaroi: “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugosllavisë, ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë”. Dështimi i propagandës për gjoja “instruktorë fondamentalistë islamikë që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” dhe sidomos qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare kundër dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake serbe e tërbuan pushtetin e Beogradit. Ky tërbim mori përmasat e një histerie, veçanërisht pas denoncimit që William Walker-i i bëri vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Kualifikimi i Walker-it, se ajo që kishte ndodhur në këtë fshat “ishte krim kundër njerëzimit” dhe se “ata që kishin dhënë urdhër për këtë krim duhej të jepnin llogari para drejtësisë”, bëri që “instruktorët e fondamentalizmit islamik që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” të harroheshin përkohësisht nga propaganda e Beogradit. Ata u “zëvendësuan” me “instruktorë ose specialistë me mbiemra amerikanë ose anglezë që kishin ardhur të stërvitnin ushtarët e UÇK-së…”!!!

“Epoka e re”: Si shpjegohet ky paradoks i ndërrimit të akuzave varësisht nga kontekstit politik ndërkombëtar?
Bardhyl Mahmuti: Nuk brengosen fare nga paradokset që mund të dalin në shesh nga fakti se e njëjta strukturë herë akuzohej të jetë e trajnuar nga “fondamentalistët islamikë”, e herë nga “ekspertët e shërbimeve sekrete anglo-saksone”! Krahas stigmatizimit të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike, si të implikuar në “përgatitjen e terroristëve shqiptarë”, nuk mungojnë autorët që implikojnë edhe Shërbimin Sekret Francez dhe atë Gjerman në lidhjet me UÇK-në. Kjo strategji, sado paradoksale të duket, është e qëllimshme. Të gjitha shoqëritë perëndimore që përballeshin me aksione terroriste me konotacion religjioz fondamentalist islamik, duhej të shihnin rrezik nga lufta çlirimtare e Kosovës. Ndërsa vendet arabo-islamike ta shihnin UÇK-në si “instrument të imperializmit amerikan”. Për ta kompletuar akuzën se gjoja “komploti kundër Serbisë vjen nga jashtë”, shteti serb denoncoi edhe “tolerancën” e shteteve të demokracive perëndimore në raport me “terroristët shqiptarë”. Këto akuza u drejtuan në veçanti kundër “tolerancës” së autoriteteve gjermane dhe zvicerane. Sipas “Librit të Bardhë” të Shërbimit Sekret të Serbisë, “autoritetet gjermane ia kishin lënë UÇK-së kazermat e braktisura të NATO-s (në Hanover, në Nuremberg, në Bon dhe në Frankfurt) dhe qindra kampe të azilkërkuesve, ndërsa autoritetet e Zvicrës i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së”!!! Me një fjalë, sipas propagandës serbe, shumë shtete perëndimore ishin mobilizuar në kuadër të një komploti kundër Serbisë! Përkundër faktit se pas krimeve në fshatin Reçak “instruktorët anglo-amerikanë” dolën në rrafshin e parë propagandistik të regjimit të Milosheviqit, ndërrimi i “instruktorëve islamikë fondamentalistë” me “instruktorët anglo-amerikanë” nuk e hoqi tërësisht propagandën serbe që synonte përafrimin e UÇK-së me grupet terroriste islamike. Në të gjitha ribotimet e mëvonshme të “librave të bardhë”, kjo njollosje mundohej të mbahej gjallë duke u ilustruar me sajime të reja, që plasoheshin në opinionin publik ndërkombëtar si “argumente”.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kievi ka thënë më 17 janar se Rusia gjatë natës…