Mungesa e kuadrove vë në pikëpyetje shumë programe të studimit
Mosplotësimi i kritereve të personelit mësimdhënës për disa programe studimi në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në Kosovë, ka ngritur shqetësime në vend.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, pas shqyrtimit të kërkesave dhe verifikimit të stafit akademik, pati marrë vendim për tërheqjen e akreditimit për 75 programe të studimit.
Në mesin e programeve të studimit që këto institucione publike dhe private të arsimit të lartë nuk i kanë plotësuar kushtet sa i përket personelit mësimdhënës janë shkencat politike, gjeodezia, pedagogjia, psikologjia, infermieria dhe shumë të tjera.
Nga verifikimi i bërë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë është theksuar se ka pasur mungesë të doktor shkencës në këto programe të caktuara studimore, gjë e cila kërkohet sipas dispozitave ligjore.
Profesor Xhavit Rexha, anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë nuk kanë bërë shqyrtimin e përgjithshëm të akreditimit, por vetëm të personelit mësimdhënës dhe sipas tij, në këtë rast nuk janë plotësuar kriteret e kërkuara.
“Lista e programeve të studimit që nuk i plotësojnë kushtet e personelit mësimdhënës përfshin pothuajse të gjitha fushat e programeve. Në të gjitha fushat, një ose dy programe janë tërhequr. Arsyeja që Këshilli Shtetëror i Cilësisë për tërheqje të akreditimit, ka qenë para së gjithash personeli mësimdhënës”.
“Çdo vit, institucionet e arsimit të lartë duhet të deklarojnë stafin e vet mësimdhënës. Dispozitat ligjore parashohin se duhet të ketë një doktor PHD (doktor shkence) për çdo 60 kredi që i ka një program i caktuar studimor. Për shembull, nëse është 180 kredi – program trevjeçar – duhet t’i ketë tre doktorë në fushën e caktuar”, ka thënë Rexha.
Sidoqoftë, institucionet e arsimit të lartë publikë dhe privatë kanë të drejtën e ankesës dhe së ky vendim i tërheqjes së akreditimit bëhet i plotfuqishëm vetëm atëherë kur të kalojnë të gjitha fazat e ankimimit.
Rektorët e gjashtë universiteteve publike në vend, përmes një njoftimi për media, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin hapa konkretë në zgjidhjen e problemeve rreth mbylljes së programeve të akredituara.
Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit parlamentar për Arsim, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se të gjithë këtyre mospajtimeve, që kanë të dy mekanizmat, duhet t’u qasen përmes rrugëve ligjore.
“Si Komision parlamentar i kemi ftuar të dy palët, edhe rektorët edhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ku ju kemi kërkuar të takohen dhe t’i ballafaqojnë argumentet. Rektorët na kanë thënë se Këshilli ka bërë shkelje, por ata duhet të shkojnë në Komisionin për Ankesa apo edhe në Gjykatë. Ne si Komision e respektojmë pavarësinë e Këshillit dhe çdo veprim i tyre është i pranueshëm nëse nuk është shkelur ligji dhe nuk janë shkelur procedurat”, ka thënë Kurteshi.
Studentë të anketuar nga “Radio Evropa e Lirë”, në rubrikën e përjavshme “VOX”, ndërkohë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mosakreditimin e disa programeve studimore.
Ekspertë të çështjeve të arsimit në vazhdimësi kanë theksuar që është me rëndësi që programet universitare të kenë njerëz të cilët janë të fushës së caktuar dhe të cilët janë bartës të atyre programeve.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se këto institucione të arsimit të lartë duhet të përgatiten që me rastin e akreditimit të programeve, vërtetë të kenë kuadër i cili i përket fushës së caktuar dhe i cili mund ta bartë atë program me sukses.
Por, megjithatë, Pupovci ka theksuar se Kosova në përgjithësi ka mungesë të kuadrove, ndërkohë që programe të studimit ka shumë.
“Gjatë kësaj periudhe, të them ashtu, është tepruar me numër të programeve të reja universitare, në një kohë kanë qenë rreth 430. E pastaj numri i tyre është reduktuar gradualisht dhe vërtetë Kosova nuk ka kapacitete akademike për një numër kaq të madh të programeve sepse nëse i marrim rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, atëherë kanë qenë vetëm 1400 doktorë shkenca, prej të cilëve diku 300 të pensionuar. Supozojmë se në ndërkohë kanë arritur të kenë thirrje doktori edhe 600 të tjerë. Do të thotë, Kosova mund t’i ketë maksimalisht 1700-1800 njerëz me kualifikim, pra doktorë të shkencave dhe ata nuk mund të shpërndahen në një numër aq të madh të programeve sa ka nëpër universitetet publike dhe kolegjet private”, ka thënë Pupovci.
Sipas Pupovcit, në Kosovë duhet të shkohet me një numër më të vogël të programeve në përputhje me mundësitë që i ka vendi ose duhet të investojë Qeveria, që të importojë kuadro akademik nga vende të tjera fqinje, në radhë të parë shqipfolës nga Shqipëria, Maqedonia e kështu me radhë.