Mungesa e kuorumit në Kuvend po e pengon mbarëvajtjen e punimeve dhe përmbushjen e agjendës
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë vlerësimin e punës së Kuvendit të Kosovës për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror 2022, periudhë kjo e karakterizuar me mungesa të theksuar të kuorumit në punimet plenare.
Sipas KDI-së, mungesa e kuorumit në punimet plenare gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë shumë e shpeshtë, kryesisht për ligjet bazike që kërkojnë shumicë të thjeshtë të votave, pavarësisht që kjo legjislaturë ka një shumicë të konsoliduar në numra.
“Në shumë prej seancave, shumica parlamentare nuk ka arritur të siguroj numrin e nevojshëm të deputetëve për të shtyrë përpara iniciativat e saj duke shkaktuar zvarritjen e tyre. Në anën tjetër opozita ka treguar një rol konstruktiv duke marrë pjesë në votimin e çështjeve që kërkojnë 2/3 e votave siç është rasti i marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat shumica parlamentare nuk mund t’i kalojë e vetme. Edhe pse, në disa raste, opozita e ka kushtëzuar votën e saj për votimin e marrëveshjeve të caktuara, në këmbim të plotësimit të kërkesave të tyre siç ishte rasti me formimin e komisionit hetimor për energjinë”, është thënë në njoftimin e KDI-së.
Më tej theksohet se duke marrë parasysh që barrën kryesore për mbarëvajtjen e punimeve dhe përmbushjen e agjendës e ka shumica parlamentare, përkundër një shumice të konsoliduar në numra, megjithatë duket se kjo vlerë numerike nuk po reflekton edhe në fuqinë politike për të marrë vendime të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës.
“Rasti i dështimit të miratimit të Kodit Civil, i cili pavarësisht që kishte marrë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe rëndësisë që ky dokument juridik ka për Kosovën, nuk e pati të njëjtën përkrahje edhe nga deputetët që i takojnë shumicës parlamentare. Debati parlamentar që u zhvillua gjatë shqyrtimit të këtij Projekt – Kodi shpërfaqi dallimet e mëdha në mes të deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare, por më e rëndësishmja shpërfaqi dallimet në mesin e deputetëve të shumicës parlamentare, për çka edhe dështoj miratimi i tij”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Një projektligj tjetër po ashtu i rëndësishëm që javën e kaluar ka dështuar të miratohej në shqyrtim të dytë në mungesë të kuorumit ishte edhe ai për deklarimin, prejardhjen, dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.
“Meqë nuk gjeti përkrahje tek opozita për dallimet që kishin sa i përket kategorive të zyrtarëve publik që do të duhej të deklaronin pasurinë, shumica parlamentare nuk arriti t’i siguroj numrat e nevojshëm për të miratuar atë projektligj meqë të pranishëm në seancë ishin vetëm 60 deputetë të shumicës. Në anën tjetër, në mungesë të konsensusit të nevojshëm mes shumicës parlamentare dhe deputetëve të pakicave, projektligji për plotësim – ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili për shkak që hynë në kategorinë e ligjeve me interes vital dhe kërkon shumicë të dyfishtë, ka mbi katër muaj që është duke u bartur nga një seancë në tjetrën në pamundësi për tu hedhur në votim”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.
Sipas KDI-së, që nga fillimi i sesionit pranveror të këtij viti, në janar e deri në fund të qershorit, në bazë të të dhënave të nxjerra nga monitorimi, Kuvendi ka mbajtur gjithsej 45 seanca, duke përfshirë këtu edhe 19 vazhdime të seancave. Nga numri i përgjithshëm i seancave të mbajtura për periudhën raportuese, gjithsej 23 seanca kanë dështuar në mungesë të kuorumit prej 61 deputetëve prezent për të vazhduar me procesin e votimit.
“Në 15 nga këto 23 seanca të dështuara në mungesë të kuorumit, në rend dite ka qenë shqyrtimi i projektligjeve, gjë që ka ndikuar në zvarritjen e shqyrtimit të tyre. Karakteristikë e kësaj periudhe të punës së Kuvendit është mungesa e theksuar e pjesëmarrjes së rregullte në punimet plenare nga ana e deputetëve. Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi, deri në fund të muajit qershor, deputetët kanë munguar plot 699 herë. Nëse kalkulohet mesatarja e mungesave të deputetëve për secilën seancë, i bie që mesatarisht kanë munguar deri në 16 deputetë”, theksohet në njoftimin e KDI-së.
Po të analizohen të dhënat për pjesëmarrje tek seancat që kanë dështuar për mungesë të kuorumit, del që në secilën prej atyre seancave, të nënshkruar kanë qenë mbi 90 deputetë.
Kjo vetëm se e shpërfaqë problemin, të tash e disa legjislaturave të Kuvendit, të mungesës së përgjegjësisë individuale të deputetëve karshi obligimeve që ata i kanë si përfaqësues të qytetarëve, që nënshkruhen në listat e pjesëmarrjes por që nuk qëndrojnë në seancë gjatë dhe deri në përfundim të saj.
KDI-ja ka theksuar se një faktor tjetër që ka shkaktuar mungesën e kuorumit në punime plenare, janë udhëtimet jashtë vendit të deputetëve, të cilat ndonëse bëhen në funksion të zhvillimit të diplomacisë parlamentare, në shumicën e rasteve zhvillohen pa një agjendë të qartë dhe me mungesë informatash se çfarë kanë prodhuar ato udhëtime.
“Sa i përket agjendës legjislative, numri i projektligjeve në procedurë në Kuvend për këto gjashtë muajt e parë të këtij viti është 108, prej të cilave deri tani janë miratuar 43 apo shprehur në përqindje 39% e atyre qe janë në procedurë. Agjenda legjislative e Qeverisë së Kosovës për këtë vit përmban gjithsej 150 projektligjeve prej të cilave deri tani, pra për gjashtë muaj, në Kuvend janë dorëzuar vetëm 23 projektligje. Mirëpo, numri i madh i projektligjeve që i ka Kuvendi aktualisht në procedurë, vjen për shkak të dinamikës shumë të ultë të punës në sesionin e kaluar pasi që zgjedhjet lokale që e kishte marrë vëmendjen e të gjitha subjekteve politike parlamentare”, ka njoftuar KDI-ja.
Sipas KDI-së, janë 80 projektligje që nuk kishin arritur që të miratohen të cilat janë bartur nga viti 2021 për këtë vit duke e stërngarkuar kështu agjendën e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare.
KDI-ja ka bërë me dije se nga 65 projektligje që janë duke u shqyrtuar në Kuvend, vetëm 14 prej atyre janë ende brenda afateve procedurale të parapara me Rregulloren e Punës.
“Ndërkaq 51 projektligje të tjera që aktualisht janë në procedurë të shqyrtimit i kanë kaluar të gjitha afatet procedurale, qoftë brenda dy leximeve ose para leximit të parë siç parashihet me Rregullore. Një nga ato që tashmë kanë kaluar afatet procedurale për shqyrtim por ende nuk është miratuar është Draft – Rregullorja e re e punës, e cila ndonëse ka kohë që është duke u punuar dhe duket që deri diku edhe ka konsensus mes grupeve parlamentare, ajo ende nuk ka marrë epilog. Në radhë të pritjes për shqyrtim është edhe një prej projektligjeve më të rëndësishme që rrjedhin nga Agjenda për Reforma Evropiane 2 është ai për financimin e subjekteve politike i cili në vazhdimësi është sfiduar nga mungesa e vullnetit politik për ta ndryshuar. Ky projektligj ka kaluar më shumë se tre muaj që nga koha kur është miratuar në lexim të parë dhe ende nuk është proceduar për miratim final”, ka njoftuar KDI-ja.