Mungesa e kuorumit “sëmundje” për Kuvendin, mbi 50 projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero
Mbi 50 projektligje rrezikohen të kthehen në pikën zero me përmbylljen e kësaj legjislature, nëse ato nuk trajtohen në lexim të dytë më Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
E gjitha kjo po ndodh si shkak i mungesës së kuorumit dhe dështimit të seancave parlamentare.
Për këtë, mbikëqyrës të punës së Kuvendit kanë kritikuar mospjesëmarrjen e deputetëve në seanca, duke e cilësuar mungesën e kuorumit si “sëmundje” për Kuvendin.
Drejtori ekzekutiv i organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, Arton Demhasaj, i tha Ekonomia Online, se është e pashpjegueshme se si partia në pushtet e cila ka shumicën parlamentare, nuk po mund të krijojë kuorumin që t’i kalojë këto ligje që janë jetike për vendin.
Ai ka shtuar se mungesa e deputetëve në seanca është duke ndodhur për shkak se ata kanë filluar para-fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, kështu sipas tij, deputetët më tepër po merren me aktivitete partiake se sa me agjendën e Kuvendit.
Demhasaj ka paralajmëruar se nëse vazhdohet me këtë trend dhe këto projektligje nuk votohen në lexim të dytë deri në përfundim të kësaj legjislature, ato do të kthehen në pikën zero.
Ai ka theksuar se deputetët duhet të kryejnë punën e tyre për të cilën edhe paguhen.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka theksuar se sesioni vjeshtor i Kuvendit ka filluar me punë të dobëta, për shkak të mungesës kronike të kuorumit, e që sipas tij, është kthyer në një “sëmundje” për institucionin.
Jakaj shtoi se Kuvendi nuk po arrijnë që ta kryejë rolin legjislativ, përfaqësues dhe mbikëqyrës që ka.
Ai është shprehur se tani edhe me largimin e dy deputetëve nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, do të vështirësohet më shumë punën e kalimit të projektligjeve më rendësi jetike për Kosovën.