Mungesa e librave universitarë në gjuhën shqipe si pasojë e revistave të “neokolonializmit akademik”
Milazim KRASNIQI
Tashmë që jam jashtë stafit të rregullt universitar, e kam edhe më të qartë pamjen lidhur me tiraninë që imponohet lidhur me botimet e punimeve shkencore në revista të huaja, si kusht brutal për avancim në tituj universitarë. Në fakt, ka pasur dhe ka gjithnjë e më shumë një zhvillim shumë kundërthënës në këtë punë: sa më shumë që mësimdhënësit tanë botojnë punime shkencore në revista në platforma të njohura, (Scopus) aq më pak ka libra universitarë në gjuhën shqipe. (Ndërsa punimet botohen vetëm anglisht dhe publiku shqipfolës nuk ka mundësi t’i lexojë! Ato as nuk shkruhen për studentë, prandaj jo gjithnjë mund t’u shërbejnë.)
Puna është e vendosur mbrapshtë që nga fillimi, sepse mësimdhënësit detyrohen të formulojnë tema që mund të zgjojnë më shumë interesin e revistave të huaja për botim. Temat e tilla shumë herë janë më shumë teorike ose „kozmopolite“, e jo tema që do të kishin për objekt hulumtimi probleme konkrete e aktuale të ambientit tonë ekonomik, shoqëror, kulturor, kombëtar, shëndetësor, teknologjik, etj.
E dyta, standardizimi i punimeve i bën të duken disi si prodhim serik, çka e dëmton kreativitetin e studiuesve. Në këso punimesh për platformat e njohura, studimi futet në një kallëp teorik, metodologjik e strukturor, gjë që e imponon botuesi, e jo hulumtimi dhe rezultatet e studimit.
E treta, punimet u dedikohen studiuesve në fushat respektive, e jo studentëve ose ndonjë komuniteti pak më të gjerë.
E katërta, meqë ka shumë universitete e shumë mësimdhënës, të cilët janë të detyruar të botojnë punime në aso revistash për t‘u avancuar, atëherë kjo konkurencë abnormale u merr shumë kohë e shumë energji. Bile ka revista që i detyron autorët të paguajnë para, për t’ua botuar punimet.
Njëra nga pasojat e kësaj politike të mbrapshtë, që në instancë të fundit mua më duket si një formë e neokolonializmit akademik, është se mësimdhënësit nuk kanë as kohë, as energji as interes që të shkruajnë libra univeristarë për studentë. Bile as të përkthejnë libra universitarë. Pse? Sepse ajo punë faktikisht nuk vlerësohet për avancim. Më shumë vlerësohet një punim i botuar në një revistë të huaj, dikund në rrotë të samës, se sa një studim monografik, i botuar në universitet. Prandaj, mungesa e librave univeristarë në gjuhën e studimit, pra në gjuhën shqipe, vërehet shumë në univeristetet tona. Besoj edhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut gjendja është njësoj e keqe. Nuk e di a është përkeqësuar, por disa vitesh e kam bërë një matje të thjeshtë dhe rezulati ka qenë shokues: rreth 60% e librave që janë në syllabuse në programet e studimit në Universitetin e Prishtinës, nuk kanë qenë fare të përkthyera e të botuara në gjuhën es tudimit, pra në gjuhën shqipe. Ky është një absurd i llojit të vet: studentëve u jipen literaturë e obligueshme libra që nuk janë në gjuhën në të cilën ata/ato studiojnë. Meqë shumë prej tyre nuk dinë anglisht dhe ata që eventualisht dinë anglisht, nuk kanë para që t’i blejnë, i bie që ata nuk arrijnë t’i lexojnë ata libra. Pasoja e kësaj është direkte në formimin e tyre akademik: nëse 60% të vëllimit të literaturës nuk e lexojnë, i bie që për tri vite studime, marrin vetëm rreth 40% të kredive. Problemi i të rinjve në tregun e punës është tregues i këtij defekti. Prandaj mendoj se duhet të rishikohet kjo politikë e këtij farë akademizmi, që bën kujdestari policeske mbi avancimet. Fjala vjen, nëse një mësimdhënës boton një libër universitar (natyrisht me recensionim komptetent e rigoroz) ajo punë do të duhej të vlerësohej me përparësi për avancim. Natyrisht botimin dhe qarkullimin do të duhej ta bënin universitetet, duke e vlerësuar e kompensuar atë punë të dobishme për studentët. Natyrisht në këtë rast do të duhej të funksiononte edhe respektimi i të drejtave të autorit e jo që puna e tij të shkojë për lesh nga fotokopjimet pirate që bëhen në mes të ditës, afër kampuseve, siç ndodhë për gjithë këto vite. Realisht edhe pitateria e ka shkatërruar vullnetin e shumë mësimdhënësve që të shkruajnë libra universitarë, pasi ato vidhen dhe shumëzohen ilegalisht, që në momentin që del në qarkullim një ekzmeplar.
Nga pozita ime e tashme, kur nuk e kam sikletin e avancimeve, e kuptoj edhe më shumë tërë këtë situatë absurde. E kam të qartë se punimet shkencore që kam botuar ndër vite për avancime, mund t‘i kem harruar edhe vetë. Ndoshta mund t’i hyjnë ndokujt në punë vetëm për ta zgjatur bibliografinë. Ndërsa librat univeristarë që kam shkruar (e botuar vetë dhe shumicën dhënë falas studentëve) ende u hyjnë në përdorim studentëve. Me siguri që ata libra universitarë nuk janë librat më të mirë në ato fusha. Por e sigurt është që në procesin e aftësimit profesional e akademik, studentët e mi kanë përfituar prej tyre. Umberto Eko pati thënë në një rast se librat mbi komunikimin e gazetarinë që janë më të vjetër se njëzet vite, po të pyetej ai, nuk do t’i linte në qarkullim. Eko njësoj mendonte edhe për librat e vet. Unë mund të jem dakord me të, por ata libra duhet të zëvendësohen paraprakisht me libra më të mirë. Ama në rast se më askush nuk ka hapësirë të shkruajë libra univeristarë për studentët tanë, ngase në mënyrë policeske kushtëzohen nga botimi i punimeve në revista të huaja dhe në gjuhën angleze, si do të bëjmë për librat?
E fundit: kjo politikë e avancimeve është thjesht një marrëzi, sepse i trajton mësimdhënësit domosdoshmërisht si shkencëtarë, ndërsa mësimdhënësit mund të mos jenë shkencëtarë, po vetëm transmetues korrekt të njohurive shkencore tek studentët.
E dyta, u kërkojnë mësimdhënësve të shkruajnë punime shkencore për komunitetin e shkencëtarëve, ndërsa ata paguhen t‘u shërbejnë studentëve. Pra, shkruajnë për shkencëtarët që ato çështje realisht i dinë e nuk shkruajnë për studentët, të cilëve u shërbejnë.
Në instancë të fundit, në rastin e botimit në revista të huaja e në platforma të caktuara, fjala është për një biznes të madh e të dyshimtë. Fjala është për një industri të revistave që përfaqësojnë neoklolonializmin akademik, i cili ka synim të mbajë nën kontroll arsimin dhe kulturat kombëtare. Vetëm po ta shikoni gjendjen aktuale të programeve studimore albanologjike, e kuptoni më qartë se është fjala për një formë të neokolonializmit akademik. Degët nacionale, si gjuha shqipe, letërsia shqipe, historia, antropologjia, praktikisht janë para mbylljes. Çdo vit zvogëlohet numri i studentëve në këto departamente. Të diplomuarit e këtyre departamenteve nuk kanë fare treg të punës, sepse ua kanë hequr me Fakultetin e Edukimit. Bile sa jam në dijeni, edhe revistat albanologjike tashmë janë mbyll. Duhet të shkruash anglisht për problemet albanologjike e ta botosh punimin në platformën Scopus, qoftë edhe në revistat e shteteve ku nuk ekziston një ide mbi albanologjinë.