Mungesa e prindërimit, shkaktar i dukurive negative tek të rinjtë
Profesori Mentor Bajraktari ka thënë se shkëputja e fëmijëve me prindërit është faktorë që ndikon në rritjen e sjelljeve kriminale dhe shfaqjen e dukurive tjera negative.
Ai ka theksuar se edukimi dhe parandalimi i dukurive negative arrihet përmes lidhjes së fëmijëve me prindërit dhe shkollën, raporton “Epoka e re”.
“Prindërit dikur ishin më pakë të shkolluar, mirëpo rëndësi të veçant i kushtuan edukimit. Prindërimi nuk ka qenë kurrë i lehtë, prandaj prindërit në ditët e sotme kur teknologjia, kompjuterët dhe celularët shfrytëzohen nga të rinjët pa mbikqyrje shkaktojnë efekte negative në mirërritjen e tyre”, ka thënë ai.
Bajraktari ka bërë me dije se dukuri shqetësuese në vendin tonë është dhuna në mesin e adoleshentëve.
“Ne si shoqëri duke filluar që nga familja, shkolla dhe institucionet e tjera përkatëse, duhet të reflektojmë me investime në edukim dhe arsimim që në fëmijërinë e hershme. Edukimi familjar është faktori kryesor dhe i fuqishëm për një rini të shëndoshë”, është shprehur profesori Bajraktari.