Mungesa e sigurimeve po i shkakton miliona euro dëme arkës së shtetit
Dëmet milionaeuroshe që po u shkaktohen fermerëve kosovarë në plantacionet e tyre ende vazhdojnë të kompensohen me paratë e taksapaguesve kosovarë. Ligji për Sigurimet Bujqësore nuk është duke u respektuar në Kosovë sikur në vendet tjera, ku shteti nuk posedon as përgjegjësinë më të vogël ndaj dëmeve të kulturave bujqësore, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Pavarësisht se kompanitë e sigurimeve në Kosovë janë të licencuara, ato nuk janë duke i shtrirë kapacitetet e tyre për t’ua mbuluar dëmet fermerëve në rast të fatkeqësive natyrore. Sipas deklaratës së drejtorit të Shoqatës së Sigurimeve në Kosovë Sami Mazrekut, kjo situatë është krijuar si pasojë e interesimit të ulët të qytetarëve për këtë pjesë.
Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve në Kosovë, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka deklaruar se 12 kompani të sigurimeve të kësaj natyre që operojnë në Kosovë kanë licencë për punën e tyre dhe për sigurim bujqësor.
“Prej 12 kompanive që operojnë në Kosovë, disa prej tyre kanë licencë për të operuar edhe për të shitur sigurimin bujqësor. Kompanitë kanë kapacitete për të marrë përsipër rreziqet e tilla. Për shkak të interesimit të ulët të qytetarëve nuk është parë se ka ndonjë rast të caktuar se dikush është siguruar dhe ka pasur ndonjë rast që është kompensuar”, ka thënë Mazreku.
Tutje ai ka sqaruar edhe pjesën më problematike, se këto dëme vazhdojnë të paguhen me paratë e taksapaguesve kosovarë. Ai ka përmendur marrëveshjen e arritur të Ministrisë së Bujqësisë me Bankën Botërore që disa lloje të produkteve bujqësore për të cilat qytetarët marrin grante nga Ministria e Bujqësisë të jenë detyrimisht të mbuluara nga rreziqet e caktuara, shkruan Gazeta “Zëri”.
“Me taksat tona paguhen dëmet, por kompanitë kanë licencë. Tani është edhe një projekt i Bankës Botërore në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Janë duke tentuar të paktën që disa lloje të produkteve bujqësore për te cilat merren grante, këto produkte të jenë të mbuluara me sigurimin bujqësor”, ka përfunduar tutje kreu i Shoqatës së sigurimeve.
Tutje Mazreku ka potencuar se është duke shikuar sponsorizimim e Ligjit për Katastrofat Natyrore dhe Tërmetet, mirëpo deri më sot nuk ka marrë përkrahje nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor.
Kërkohet Ligji për Sigurimet Bujqësore
Por krejtësisht ndryshe janë shprehur anëtarët e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor. Anëtari i këtij Komisioni nga radhët e Vetëvendosjes Liburn Aliu i ka thënë gazetës “Zëri” se mosarritja e një praktike të tillë për sigurime bujqësore në Kosovë nuk është gjë tjetër veçse neglizhencë e shtetit. “Nuk ekzistojnë sigurime të kësaj natyre në Kosovë. Kësisoj i bie që kompensimi formalisht kompensohet përmes buxhetit që realisht nuk është as kompensim i mirëfilltë vetëm se është barrë për buxhetin, nuk është zgjidhje. Ministria e Bujqësisë e ka ndarë një fond të vogël nga buxheti, të cilin nuk ka mundur as t’i përmbushë dëmet”, është shprehur në mes tjerash Aliu.
Më tej Aliu ka treguar se kjo çështje zgjidhet më së miri përmes sigurimeve të cilat te ne nuk ekzistojnë. “Këto më së miri zgjidhen përmes sigurimeve, të cilat te ne nuk funksionojnë, në vendet tjera bëhen përmes sigurimeve. Një gjë e tillë është neglizhencë e shtetit, kanë mundur të bëhen sigurime të tilla, por nuk ka ndodhur”, ka përfunduar ai.
Në Kosovë kompanitë e sigurimeve nuk po pranojnë t’i bëjnë kompensimet bujqësore. Të paktën kështu është shprehur anëtari i Komisionit Parlamentar për Bujqësi nga radhët e PDK-së Andin Hoti. Hoti në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” ka treguar se vlera e dëmeve vetëm në qytetin e Rahovecit ka arritur në 4.7 milionë euro, teksa ka komentuar tutje edhe praktikën e sigurimeve bujqësore në vendet tjera perëndimore. “Në Kosovë asnjë kompani vendore e sigurimeve nuk po pranon t’i bëjë sigurimet bujqësore. Në vendet e Perëndimit, edhe në Amerikë ku isha unë 50 për qind e mbulonte shteti, ndërsa 50 për qind vetë bujku. Te ne për shkak të mosinformatave të sakta të kohës, të vendeve, të tokave që kanë probleme të shumta me regjistrimin e pronave, nuk po pranojnë kompanitë t’i bëjnë sigurimet”, ka shpjeguar Hoti.
Anëtari i këtij Komisioni ka përmendur edhe hartimin e një sigurimi të indeksit bujqësor të Ministrisë, që përcakton kohën e të reshurave. “Ministria ka arritur të hartojë një sigurim indeks-bujqësor, pak a shumë paushall. Caktohet koha kur bie shi dhe bujku obligohet të regjistrohet në sigurimet bujqësore dhe ata e kompensojnë bujkun. Por, meqenëse nuk ka ndodhur ende sigurimi bujqësor, unë kam kërkuar në Komision që shteti të ketë përgjegjësi, sepse bujqit të hyrat e vetme i kanë përmes bujqësisë”, ka thënë ai.
Rusinovci: Mungon ligji bazë për sigurimin e kulturave bujqësore
Mungesën e ligjit bazë për sigurime të kulturave bujqësore e ka përmendur edhe profesori universitar në Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë Imer Rusinovci. Ai ka thënë se sferës së legjislacionit në Kosovë i mungojnë shumë ligje bazë, si ai i sigurimeve të kulturave bujqësore. “Sfera e legjislacionit në Kosovë, sado që thuhet se është e kompletuar edhe ajo që është nuk zbatohet. Mungojnë shumë ligje bazë siç është Ligji për Sigurime për Kulturat Bujqësore. Logjika e thotë se këto fatkeqësi elementare, breshrin ose vërshimet çfarëdo qofshin, duhet t’i mbulojnë fondet e sigurimeve, dukuri e cila nuk funksionon në Kosovë”, ka sqaruar profesori universitar.
Rusinovci për gjendjen në terren pas reshjeve të shiut ka thënë se nuk është shumë reale, pasi nuk dihet nga kush është caktuar. “Unë nuk kam njëfarë doze të sigurisë që të them se dëmi nga breshëri është në këtë vlerë ose në atë vlerë sepse kjo e do një punë të mbështetet në një emërues të përbashkët të institucioneve hulumtuese shkencore. Vendet normale këto i mbulojnë nga fondet, nga Ligji për Sigurimin e Kulturave Bujqësore. Qeveria e ka gabim, në mungesë të këtij ligji nëse nuk zbatohet mund të ketë një fond të fatkeqësive elementare, nga i cili fond qoftë nga breshëri, nga thatësia, nga vërshimi duhet të monitorohet shkalla e dëmit në terren dhe të kompensohet fermeri për shkallën e dëmit që e ka”, ka theksuar ai.
Qeveria e Kosovës mbledhjen e fundit nga rezervat shtetërore ka ndarë 7 milionë euro për dëmet nga reshjet e fundit.