“Mungesë vizioni, qasje e gabume – nuk ka projekte kapitale”, Naim Ismaili për qeverisjen e Vetëvendosjes në Shtime
Naim Ismaili, ish-kryetar i Shtimes për shumë vite, tani kandidat i PDK-së për deputet, u pyet në Pressing për qeverisjen e VV-së në këtë komunë, për çka tha se “qeverisja aktuale ka mungesë vizioni, mungesë të përvojës së punës, të planeve të qarta etj”.
Qeverisjen e VV-së në Shtimë, sipas tij nuk e identifikon asnjë projekt kapital.
“Nuk shihet ndonjë ndryshim, edhe pse katër vite me mbështetje të fuqishme nga qendra pasi që kishte pak komuna Vetëvendosja, mirëpo nuk ka ndonjë ndryshim që mund të themi që është një projekt kapital që e identifikon këtë qeverisje. Absolutisht nuk mund ta shohim asnjë projekt kapital i cili është i dukshëm…”, tha Ismaili në Pressing.
“Mungesa e vizionit dhe mungesa e vendimmarrjes çon deri te ajo që të mos mundësh me realizu projekte. Apo qasja e gabuar në orientim të projekteve…”, u shpreh ai për qeverisjen e VV-së në Shtime.