Mungojnë edhe pesë nënshkrime të deputetëve që opozita ta dërgoj në Kushtetuese presidenten Osmani për çështjen e kryeprokurorit
Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani, për të mosdekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, të propozuar nga Këshilli Prokurorial.
Kur kanë mbetur edhe dy ditë afat që deputetët e Kuvendit të Kosovës të kontestojnë këtë vendim të të parës së shtetit në kushtetuese, PDK-ja së bashku me AAK-në kanë mbledhur 25 nënshkrime nga 30 sosh sa janë të nevojshme, mirëpo atyre ende nuk iu janë bashkuar kolegët e tyre opozitar nga LDK-ja.
Në PDK dhe AAK thonë se kanë përgatitur dosjen për dërgim në Kushtetuese të Osmanit, e cila sipas tyre ka bërë shkelje serioze kushtetuese që i rrezikon edhe mandatin asaj. Ndërkaq, potencojnë se hezitimi i LDK-së për të dhënë nënshkrimet e dëmton unifikimin opozitarë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë për KosovaPress se dërgimi i presidentes Osmani në Kushtetuese nuk do të duhej të dështonte, pasi, sipas tij ajo ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës me rastin e mosdekretimit për kryeprokuror të Blerim Isufajt.
Ai thotë se i ka dërguar një kërkesë kolegut të tij nga LDK-ja, Arben Gashi për dhënie të nënshkrimeve për një gjë të tillë, mirëpo i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje.
“Tashmë jemi në limitet kohore për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese rastin e mosdekretimit (për kryeprokuror të Blerim Isufajt) nga ana e presidentes si një kompetencë direkt e presidentes së Kosovës. Ju e dini se të gjitha partitë opozitare, në këtë rast përfshirë PDK kemi fol për këtë çështje dhe kemi cilësuar si shkelje serioze e presidentes në raport me mos dekretimin e kryeprokurorit të shtetit. Ajo çka vlen të theksohet në këtë rast është se ne si Grup parlamentar kemi draftuar lëndën për këtë rast që është mjaft voluminoze. Në anën tjetër deri tani janë të konfirmuar 25 nënshkrime për të dërguar presidenten në Gjykatën Kushtetuese. Ju e dini se opozita komplet përbëhen diku 42 deputetë, ndërsa ne si grup parlamentar i vetëm nuk i kemi 30 nënshkrime për të dërguar presidenten në Gjykatën Kushtetuese. Unë i kam dërguar një letër shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe AAK-së që t’i mbledhim nënshkrimet. Unë kam përgjigje pozitive nga AAK-ja, ndërsa nga LDK-ja nuk kam marrë përgjigje ende nëse do t’i japin nënshkrimet. Besoj se një gjë e tillë nuk do të duhej të dështonte…Do të ishte e dëmshme nëse si opozitë dështojmë të unifikohemi dhe të dërgojmë një çështje të tillë në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ai.
Përgjigje pozitive kërkesës së PDK-së për dhënie të nënshkrimeve kanë bërë deputetët e AAK-së.
Deputeti Pal Lekaj thotë se presidentja Osmani duhet të dërgohet në Kushtetuese, derisa u shpreh i habitur se pse deputetët e LDK-së nuk po i japin nënshkrimet për një gjë të tillë.
“Sa i përket mosdekretimit të kryeprokurorit të shtetit nga presidentja Vjosa Osmani, mendoj se janë vonuar tepër dhe që nuk kanë ndonjë mbështetje ligjore se pse nuk është dekretuar. Prandaj ne si opozitë kemi menduar që çështjen të dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese në bazë rregullave të Kuvendit dhe ligjeve të Kosovës…Çalon Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e di pse nuk i japin nënshkrimet dhe është në politikat e tyre që ata të vendosin”, thotë Lekaj.
Mediumi ka kontaktuar edhe me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, mirëpo i njëjti nuk pranoi të përgjigjet për këtë çështje.
Mirëpo deputeti Driton Selmanaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës më 19 tetor ka thënë se vendimi për mosdekretim të Isufajt për kryeprokuror është antikushtetues.
“Shprehi shqetësimet për veprimet dhe qasjen kundër kushtetuese të presidentes së vendit me rastin e mos emërimit të kryeprokuror të vendit. Ajo dëshmoi se për 18 muaj ka abstenuar me ushtrimin e detyrimeve që i ka me Kushtetutën e Kosovës…Presidentja e vendit e ka lënë vendin për 18 muaj pa kryeprokuror, përkatësisht institucionin e pavarur që ka autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale për 1 vit e më shumë. Çështja e dytë vendimi i presidentes për mos emërimin e kandidatit të propozuar nga KPK-ja bie ndesh me nenin 84 paragrafi 17 i Kushtetutës së Kosovës. Sipas këtij neni kompetencat e presidentes për emërim dhe shkarkim kufizohen vetëm në aspektin ceremonial”, kishte thënë ai.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë se presidentja Osmani ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës me vendimin e saj për të mosdekretuar Isufajn për kryeprokruor.
Ai thekson se ky vendim përbënë një precedent shumë të rrezikshëm të komunikimit tani e tutje të politikës dhe drejtësisë.
“Ky vendim i presidentes për të mosdekretuar përbënë një precedent shumë të rrezikshëm të komunikimit tani e tutje të politikës dhe drejtësisë. Kjo do të ishte mjaft e dëmshme nëse do të lejohet një gjë e tillë….Këtu janë dy lloje shkelje, shkeljet kushtetuese dhe shkeljet serioze. Në këtë rast ne konsiderojmë se kjo është një shkelje serioze që i rrezikon edhe mandatin presidentes….Besoj se e kemi argumentuar mjaft mirë që ky akt i presidentes Osmani përbënë shkelje serioze kushtetuese”, thekson Tahiri.
Tahiri shton se si mundësi për të dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese është edhe nga ana e Avokatit të Popullit, mirëpo i njëjti mund të bëjë vetëm nëse dekreti është në përputhshmëri me kushtetutën, jo nëse presidentja ka bërë shkelje serioze kushtetuese.
Deputetët e Kuvendit në bazë të Kushtetutës kanë mundësi të apelojnë një vendim të presidentit në Gjykatën Kushtetuese përmes sigurimit të 30 nënshkrimeve, mirëpo kanë afat vetëm 31 ditë pas atij vendimi.
Më 17 tetor, presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak siç ka thënë shkeljeve të shumta ligjore.
Megjithatë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 1 nëntor ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.