Mungon Rizvanolli, anëtarët e Komisionit për Ekonomi pritet të takohen me sindikalistët e ‘Trepçës’
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk do të raportojë sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”. Kjo pasi ajo ka njoftuar se është në një udhëtim jashtë vendit.
Kështu ka bërë me dije kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala.
Deputeti Shala ka theksuar se së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit që drejton do të kenë një takim me sindikalistët e “Trepçës”, të cilët janë aty me ftesë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po pajtohemi që pas 15 minutash të takohemi në sallën e propozuar që të kemi takim me sindikalistët”, ka thënë Shala.
Për mosraportimin e ministres Rizvanolli, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se ftesa e Lëvizjes Vetëvendosje është manipulim.
“Grupi parlamentar i LV-së pa u konsultuar fare me Komisionin për Ekonomi i thërret sindikatat për me i politizuar dhe për me i dhënë kahe politike dhe jo kahe që është dashtë ministrja sot të vjen e të raporton këtu. Dhe mendoj se është manipulim i llojit të vet për atë çfarë po ndodh. Minatorët kërkojnë zgjidhje, kërkojnë të gjitha ato që janë elementare”, ka thënë Lekaj.