Munishi: Pa u bërë unë trajner, Kosova kurrë s’ka me u kualifiku
Trajneri Ismet Munishi thotë se kombëtarja e Kosovës s’do të kualifikohet në Kampionat Evropian ose Botëror pa e marrë ai pozitën e përzgjedhësit.
Në një intervistë së fundmi për “Un dhe ti”, trajneri më i shkarkuar në Kosovë deklaroi se është revolucionar dhe ndër më të mirët në vendin tonë.
“Jam ndër trajnerët më të mirë në Kosovë. Jam revolucionar në atë që kam bërë.
I pyetur për Kosovën, Munishi deklaroi se nuk do të kualifikohet pa e marrë atë si trajner.
“Sigurisht, pa u bë unë trajner i Kosovës kurrë s’kanë me mujt me u kualifiku kurrkund. Më të mirë se unë s’munden me marrë, Pep Guardiolen e Jose Mourinhon s’kanë pare. Si qiky (Alain Giresse), profesor e doktor jam. Që e bijnë Guardiolen ose Mourinhon kisha pranu me u bo asistent për me ia ndihmu për punët e Kosovës, po sa për qasi…”.
Tutje, tekniku prishtinas nënvizoi se flet shtatë gjuhë të ndryshme prandaj edhe është nivel tjetër sa i përket futbollit tonë.
“Kush e përcjellë futbollin e Kosovës e sheh që kam bërë revulocion. I pari kam luajtur me tre mbrojtësa, i pari kam përmbys rezultatin. Në aspektin medial kam qenë ndryshe nga trajnerët e tjerë. Vij nga tjetër nivel i futbollit, kam luajtur jashtë dhe kam ardhur nga një vend tjetër. Kam luajtur në 10 shtete, 7 gjuhë të ndryshme i flas”.
Në fund, Munishi ka deklaruar se Superliga e Kosovës ka nisur të përmirësohet dhe nuk ka më shumë ‘matematika’ pasi skuadrat nuk guxojnë të lëshojnë shumë pikë.
“Kemi shumë vende në rajon që është më i parregullt se në Kosovë. Në këto dy apo tre vite është kampionati shumë i rregullt. Sistemi me 10 skuadra, 2 bien direkt dhe një lufton për barazh, katër për Evropë, nuk ka kërkush pikë tepër për t’ia falur dikujt. Kam parë Barcelonën apo Real Madridin s’kanë pasur motivim, për të fituar aty kërkush nuk i thotë shite por lojtarët vetë nuk i japin zor hiq”.