Munishi: Prishtina ndeshjet do t’i luajë nën ndriçimin e reflektorëve në ‘Fadil Vokrri’
Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi ka thënë se do të krijojë një skuadër e cila do ta rikthej në festë çdo ndeshje që e luan në shtëpi.
Munishi ka bërë të ditur se Prishtina ndeshjet si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do t’i luajë nën ndriçimin e reflektorëve.
“Do të bëjmë skuadër që kur luan futboll të bëhet një lloje feste në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshjet do t’i zhvillojmë në mbrëmje. Do të luajmë me reflektor dhe pres përkrahje maksimale të qytetit të Prishtinës, prej Plisave. Duhet ta tregojë forcën e vetë kryeqyteti”, ka thënë Munishi në emisionin Sporti Total.
Trajneri i mirënjohur Ismet Munishi u prezantua si shef i shtabit teknik te klubi më i trofeshëm në Kosovë më 9 qershor. Munishi para Prishtinës ishte pjesë e Gjilanit, ndërsa në karrierën e tij drejtoi edhe shumë ekipe të tjera në futbollin e Kosovës.