Muqaku, një profil i formuar prej letrari në poezi
Dorëshkrimi i Xhevatit më erdhi furtunshëm, duke ma rikthyer makinën e kujtesës për plot gjysmë shekulli mbrapa, në të hyrë të viteve shtatëdhjetë, kur e kisha nxënës në filloren e fshatit tim.
Duke qenë nga të rrallët me suksese të shkëlqyeshme në mësim, edhe mund ta merrje me mend se do të arrinte lart në lëmin e shkencave, po mënjanë letërsisë. Befasitë për mirë, ndërkaq, janë mrekullia vetë. Në librat e botuar deri tash ai solli një profil të formuar prej letrari në poezi, prozë dhe reportazhe e shkrime eseistike. Po ky dorëshkrimi i fundit? Edhe një dëshmi, jo për ta bërë radhën e vazhdimësisë së zhvillimit, por të kurorëzimit me rezultat lartësie.
Shenja e parë e këtij vëllimi, mbushja intelektualiste, si rrallë te ndonjë bashkëkohës i tij, vjen e bëhet vlerë estetike dhe përmbajtjesore. Kësaj shenje them se i rri bukur metafora e Daniel Golemanit, inteligjenca emocionale. Paj, mund ta lexojmë këtë edhe në variantin alternativ: emocionet inteligjente.
Në ngulmimin për t’i pikasur veçantitë, bie në sy edhe fjala çelës Ora, që në këto lirika shfaqet me kuptim të dyfishtë: si mjet i matjes së kohës, po aq edhe si Orë-Zanë që në mitologjinë shqiptare merr funksionin e Fatthënës.
Malli për vendlindjen, tipik për mërgimtarët, këtu nuk vjen me klithma e thirravaje, po me strukturë të ndërlikur dhe sistem figurativ të pleksur gjithandej toposeve shqiptare. Atdheu i tij është e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja si projeksion i bashkëvendësve të tij.
E kam thënë diku dhe po e përsëris: Kultivimi i fjalës së bukur s’është veçse rezultat i mendimit të kultivuar. Këtë na e dëshmon pikërisht ky libër i Xhevat Muqakut.
Adem Gashi