Muqolli: Besa dha leksion me lojë të mirë
Te Besa Famgas vlerësojnë paraqitjen që kishin të dielën mbrëma në Rumani në ndeshjen ndaj Potaissa Turdas. Besa Famgas humbi me 29:26 dhe kështu nuk mundi të avancojë përtej raundit të tretë të Kupës Evropiane. Besa në Pejë kishte fituar me rezultatin 30:28.
Turda është skuadër e suksesshme evropiane, ndërsa ndaj saj kampionia jonë shfaqi vlera të mëdha. Ishte rivale e barabartë, ndërsa aksionet në fund vendosën fituesin.
“Ndaj Turdas në Rumani kemi bërë lojë shumë të mirë. Ekipi i Besës ka dhënë leksion me lojë të mirë, por ishte e pamundur të fitojmë. Nuk ka pasur shanse. Edhe pse nuk kam dëshirë të flas për referimi, por referimi ishte katastrofal në Rumani. Më vjen keq prej këtyre djelmoshave që e japin çdo gjë nga vetja dhe bëjnë lojë shumë të mirë. Në ndeshjen e parë nuk isha i kënaqur me paraqitjen, por mbrëmë ishim të mahnitshëm. Është mëkat i madh që nuk u kualifikuam në xhiron e ardhshme dhe të shkruajmë histori”, ka thënë trajneri i Besës, Arben Muqolli.
“Besoj se do të jemi prapë në formë dhe të tregojmë lojëra të mira. Nuk ka arsye që të na bjerë morali. Ne ishim të mirë dhe e kemi merituar fitoren, edhe pse ekipi rumun ishte kundërshtar shumë i fortë. Por përfundimisht ne ishim shumë më të mirë”, ka shtuar trajneri pejan.