Murati: 80,985 persona paguhen më pak se 264 euro në muaj
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pasi që pasi që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), këtë të premte e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, duke i akuzuar se të njëjtit po tentojnë që ta ndalojnë rritjen e pagës minimale.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Murati fillimisht tha se “80 mijë e 985 persona paguhen më pak se 264 euro në muaj”, duke mos treguar burimin e këtyre të dhënave që i paraqiti.
“Janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë e shumë të tjerë që me padurim presin rritjen e pagës minimale”.
Ndërkaq, ministri Murati theksoi se ata, duke iu referuar opozitës, “që për më shumë se një dekadë e lanë pagën minimale në 130/170 euro, sot e paskan dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale, për ta kundërshtuar rritjen që ka propozuar Qeveria Kurti”.
“Pra lëre që ata vetë nuk e rritën pagën minimale sa ishin në pushtet, por tash kur ne e rritëm, po tentojnë që me çdo kusht ta bllokojnë”.
Në fund të reagimit të tij, ai shtroi edhe një pyetje për dërguesit e Ligjit për Pagën Minimale në Gjykatën Kushtetuese.
“Pse vallë kanë kaq shumë urrejtje?!”, pyeti ai.
Ndryshe, pasi që shefi i grupit parlamentar të Aleancës të Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri, dorëzoi këtë të premte në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, nga presidenca kanë njoftuar se Ligji për Pagën Minimale nuk do të dekretohet nga e para e vendit deri në verdiktin e Kushtetueses.
“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i presidentes, Bekim Kupina.
Pas dërgimit në Kushtuese, Tahiri dha edhe tri arsye se pse e kanë ndërmarrë një veprim të tillë.
“I kemi adresuar tri çështje që janë të rëndësishme, e para këshilli ekonomik social i cili përcaktohet me ligjin e punës dhe i cili asnjëherë nuk është konsultuar sa i përket pagës minimale tregon për një shkelje flagrante që Qeveria e Kosovës e ka bërë”.
“E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, pra të verbërve të paraplegjikve dhe tetraplegjive të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar nga këtu ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejt e vlerave dhe të drejtave të njeriut që e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Ndërsa çështja e tretë, Tahiri ka potencuar se është ajo e veteranëve që përfaqëson “vlera të Kosovës”.
“E treta lidhet me veteranët e Kosovës. E cila jo vetëm është shkelje por lidhet drejtpërdrejt edhe me vlerat që kjo kategori përfaqëson presim nga Kushtetuesja që ta vlerësojë dhe jemi të bindur që ky rast do t’i thyej dy padrejtësi. E para me mashtrimin flagrant të shumës minimale, i bëj pyetje publik kryeministrit të Kosovës dhe ministrit të Financave të na tregoj se kush e ka sot pagën 260 euro”.
Sipas Tahirit, “ky ligj që është miratuar nuk ka asnjë impakt në terren”.
Ndërsa, më 15 korrik, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka protestuar në Prishtinë kundër Ligjit për Pagën Minimale, pasi që të njëjtit nuk u përfshinë në këtë ligj.