Murati: Anomalia e votave me postë për LDK-në vërehet edhe me sy të lirë

06 mars 2025 | 15:21

Ministri i Financave dhe kandidati për deputet, Hekuran Murati, ka reaguar në lidhje me procesin zgjedhor, sidomos për votat me postë për LDK-në.

Ai ka thënë se anomalia e votave me postë për LDK-në vërehet edhe me sy të lirë.

“Pa ndonjë analizë të thelluar mund të konstatohet se kemi të bëjmë me manipulim të votave me postë, në shkallë industriale madje. Këtë më së miri e shpërfaq krahasimi i votave me postë sivjet, me votat me postë nga zgjedhjet nacionale të vitit 2021. Përderisa LV qëndron pothuajse pandryshuar, kurse PDK e AAK kanë një rritje prej 32%-48%, tek LDK rritja është abnormale me mbi 367%. Nëse do të supozonim trend të njëjtë të rritjes edhe tek LDK-ja sikurse tek partitë tjera, atëherë i bie se keqpërdorimi sillet tek 13-14 mijë vota. Pra nuk është ndonjë gjë që mund të tejkalohet në heshtje”, ka shkruar Murati në “Facebook”.

Ai ka thënë se diçka e ngjashme, por në shkallë më të vogël ishte tentuar në zgjedhjet e vitit 2021, pikërisht nga anëtarë të LDK-së, të cilët ishin zënë duke keqpërdorur identitetin e 72 qytetarëve që jetojnë në Austri.

“Për këtë ka edhe të dënuar nga gjykata. Kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme për të alarmuar prokurorinë të fillojë hetimin për të zbuluar skemën dhe identifikuar keqbërësit. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë veprim. Kurse Lumir Abdixhiku në anën tjetër, më e pakta që mund të bëjë është që t’i bashkohet thirrjes për hetim dhe zbardhje të rastit”, ka shkruar Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka reaguar pasi…