Murati: Asnjë aksident me fatalitet në vendin e punës në gjashtë mujorin e parë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet në vendin e punës.
Murati ka uruar që ky trend të vazhdojë deri në fund të vitit e të bëhet normë e re edhe për vitet e ardhshme. “Inspektorati i Punës do të vazhdojë kontrollet me intensitet të shtuar, sidomos në sektorët që përbëjnë rrezikshmëri të lartë. Kemi dyfishuar numrin e inspektorëve të punës, dhe numri do të rritet edhe më tutje sivjet. Gjithashtu, janë shtuar ndjeshëm edhe kampanjat e përqendruara të inspektimeve, siç e kishim në tremujorin e parë të këtij viti, në bashkëpunim edhe me ATK-në”, ka shkruar Murati në “Facebook”.
Ministri Murati ka shtuar se në mënyrë që ky trend i jashtëzakonshëm të vazhdojë “lusim të gjithë punëtorët që të kenë kujdes gjatë punës”.
“Njëkohësisht u bëjmë thirrje edhe punëdhënësve që të sigurohen se i përmbushin kushtet për të ofruar ambiente të sigurta pune dhe pajisje përkatëse që parandalojnë lëndimet në vendin e punës. Bashkërisht, le ta mbajmë këtë statistikë zero”, ka shkruar Murati.