Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se derisa bota rreth nesh po ndryshon, shqiptarët ende po vazhdojnë me të vjetrën.
Murati: Bota po ndryshon, e ne shqiptarët ende me të vjetrën
Sipas tij, dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, është një çështje e cila do të duhej të nxiste analiza më serioze në raportin e shqiptarëve me BE-në, dhe për raportet ndër-shqiptare në Ballkan.
Sipas Muratit, kjo nuk është një punë që duhet të kaloj dhe të thuhet se nuk ka ndodhur asgjë, do nuk do të duhej që ngjarjet e së ardhmes të na zënë të papërgatitur.
“Në anën tjetër këto ndryshime në arkitekturën evropiane do të duhej të nxitnin analiza më serioze për raportin e shqiptarëve me BE-në dhe për raportet ndërshqiptare në Ballkan. Nuk mund të themi se nuk ka ndodhur asgjë dhe nuk do të na duhej të na zënë ngjarjet e së ardhmes të papërgatitur. Por ne shqiptarët që kemi shtetet tona sillemi komod njëherë – ka gjashtë muaj që nuk kemi qeveri në Kosovë dhe nuk na ngutet shumë, ndërsa Tirana nuk del nga tranzicioni as pas 30 vitesh. Bota rreth nesh po ndryshon, ne vazhdojmë me të vjetrën”, shkruan Murati në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në shkrimin e tij, të titulluar “Kur shpirti i ishullit nuk fle rehat në kontinent”, ai thotë se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, është një veprim që në planin afatgjatë do të ketë pasoja për projektin evropian dhe mënyrën e funksionimit të BE-së.
“Sigurisht dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja është një veprim që në planin afatgjatë do të ketë pasoja për projektin evropian dhe mënyrën e funksionimi të BE-së. Do të ketë pasoja edhe për Britaninë e Madhe, për ekonominë e saj, por edhe për vetë ekzistencën e projektit britanik ashtu siç e njohim ne. Ndjenja pro-pavarësi në Skoci është duke u rritur, ndërsa bashkimi i Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës si pjesë e BE-së ka filluar të marrë çdo herë e më shumë përkrahje edhe nga qarqe skeptike mbi këtë projekt më herët. Si Skocia ashtu edhe Irlanda e Veriut kanë votuar për të mbetur pjesë e Bashkimit Evropian”, shkruan ndër të tjera Murati.
Më poshtë keni të plotë postimin e tij:
Kur shpirti i ishullit nuk fle rehat në kontinent
Sonte edhe zyrtarisht Britania e Madhe del nga Bashkimi Evropian. Sonte po përfundon një marrëdhënie e cila që në fillimet e veta ishte e veçantë, për të mos thënë e çuditshme. Britania e Madhe nuk ishte pjesë e gjashtë vendeve bërthamë që ndërtuan projektin evropian i cili sot njihet si Bashkimi Evropian. Një kohë të gjatë Britania e Madhe ka pritur më kot tek dera e Komunitetit Evropian sepse aty është ndeshur nga vetoja kokëfortë e Francës së De Golit. Përfundimisht pas anëtarësimit të saj në Komunitetin Evropian në vitin 1973, menjëherë filluan të dalin në pah zërat skeptik brenda Britanisë së Madhe me këtë projekt dhe në vitin 1975 u mbajt një referendum se a do të duhej të vazhdonte Britania e Madhe të ishte pjesë e këtij projekti a jo. Tërë historia e më pastajme britanike brenda mekanizmave të Brukselit është histori e përpjekjeve për të ruajtur sovranitetin britanik dhe për të refuzuar shumë prej projekteve që sot janë simbol i BE-së, si eurozona dhe hapësira Shëngen. Asnjëherë Britania e Madhe, përkundër përfitimeve ekonomike dhe politike (Marrëveshja e së Premtes së Mirë në Irlandën e Veriut vështirë se do të arrihej jashtë kontekstit evropian, dhe parimeve evropiane të lirisë së lëvizjeve dhe relativizimit të rolit të kufijve), nuk është ndjerë komode në teshat e BE-së. Shpirti i ishullit nuk akomodohej në atë të kontinentit. Sigurisht dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja është një veprim që në planin afatgjatë do të ketë pasoja për projektin evropian dhe mënyrën e funksionimi të BE-së. Do të ketë pasoja edhe për Britaninë e Madhe, për ekonominë e saj, por edhe për vetë ekzistencën e projektit britanik ashtu siç e njohim ne. Ndjenja pro-pavarësi në Skoci është duke u rritur, ndërsa bashkimi i Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës si pjesë e BE-së ka filluar të marrë çdo herë e më shumë përkrahje edhe nga qarqe skeptike mbi këtë projekt më herët. Si Skocia ashtu edhe Irlanda e Veriut kanë votuar për të mbetur pjesë e Bashkimit Evropian. Në anën tjetër këto ndryshime në arkitekturën evropiane do të duhej të nxitnin analiza më serioze për raportin e shqiptarëve me BE-në dhe për raportet ndërshqiptare në Ballkan. Nuk mund të themi se nuk ka ndodhur asgjë dhe nuk do të na duhej të na zënë ngjarjet e së ardhmes të papërgatitur. Por ne shqiptarët që kemi shtetet tona sillemi komod njëherë – ka gjashtë muaj që nuk kemi qeveri në Kosovë dhe nuk na ngutet shumë, ndërsa Tirana nuk del nga tranzicioni as pas 30 vitesh. Bota rreth nesh po ndryshon, ne vazhdojmë me të vjetrën.