Murati, deputetëve: A i mbështetni komunat që t’ua falin 100 eurot e para secilit tatimpagues?
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka propozuar para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, që shkaku i situatës së vështirësuar, të gjitha komunat t’ua falin 100 eurot e para secilit tatimpagues të tatimit në pronë.
Murati ka sugjeruar që komunat të japin nga 100 euro për secilin tatimpagues për pronë sivjet.
“Do ta ndryshojmë ligjin por të sulmohet ministria pse nuk ka informuar qytetarët, duhet të kërkohet nga komunat e jo nga unë. Me nismë ligjore keni mundur ta ndryshoni edhe ju. Si ministri ne po e ndryshojmë ligjin. Kjo është ajo çka parashohim të bëjmë. Unë sugjeroj që komunat le t’ua falin 100 eurot e para secilit tatim pagues të tatimit për pronë. Nënkupton nëse merren 15 mijë euro që janë të liruara për banimin primar rezidencial, nënkupton përafërsisht diku 70 mijë euro vlerë shtesë. Pra nëse e marrim pragun 0.15 për qind nënkupton që për secilin qytetar, 90 mijë eurot e para do të ishin pa tatim sivjet. Ky është propozimi qe e ka ministria e Financave. Për 90 mijë eurot e para të pronës ne si ministri e mbështesim që të falet, a jeni ju që të falet”.
Kundër këtij propozimi të Muratit është shprehur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.
“Më e rëndësishme do të ishte pezullim ndoshta deri në një datë. Të krijonim një komision parlamentar që do të gjente një zgjidhje bashkërisht edhe me komunat. Mendoj që ky propozimi për falje e 100 eurove nuk është korrekt. Është mirë të dakordohemi, që të fillojmë ta rishikojmë ligjin, t’i përmirësojmë gabimet që janë bërë”, ka thënë Rrahmani, raporton “EO”.
Duke llogaritur vlerën 0.15 për qind, ministri Murati ka thënë se kjo nënkupton që për secilin qytetar, 90 mijë eurot e para do të ishin pa tatim këtë vit.
Ai po ashtu ka potencuar se nuk është detyrë e ministrisë që drejton që t’i informojë qytetarët për ndryshime, por kjo sipas tij u takon komunave.
“Prandaj ministria nuk mund t’i informoj të gjithë, ju takon komunave që sipas raportit që e kanë marrë në tetor t’i informojnë qytetarët e tyre. Sa i përket përmirësimit të ligjit u tha pse se ke pezulluar. Ne jemi në proces të hartimit të ligjit të ri. Unë nuk mund ta shkeli ligjin. Ky ligj është hartuar nga Mustafa. Pajtohem se pronat duhet ta kenë vlerën e tregut. E pragu është miratuar në kohën e qeverisë së PAN-it. Pra kushtet janë vendosur nga ju”, ka thënë ai.
E deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka pyetur ministrin Murati, arsyen e rritjes së tatimit në pronë, pikërisht në këtë kohë krize.
Me këtë rast, ai ka kërkuar që të pezullohet ky vendim. “Ka shumë ankesa në vlerësim të pronës dhe duhet të shikohet. Pyetja kryesore se është se pse bash në kohën kur kemi krizë jashtëzakonisht të madhe në çështje ekonomike. Si ministër u dashtë me ditë që qytetarët e kanë të pamundur të mbijetojnë me këtë krize dhe neglizhencës e shumë iniciativave siç ka qenë trusti për të mbështetur në kohë krize. Gjithashtu më tregoni te pjesa e pezullimit, besoj se do keni mbështetjen e komisionit mua personalisht derisa nuk është bërë detyra e Ministrisë së Financave mirë për promovim të ligjit, nuk është bërë atëherë ne do kërkojmë pezullimin e ligjit me një kohë të caktuar”, ka thënë Lushtaku.
Ndërsa deputeti tjetër i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se ministri Murati po fshihet pas ligjit të miratuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa.
Shala ka thënë se atë kohë, nuk ka pasur krizë ekonomike dhe pikërisht kjo është dashur të merret për bazë.
“Ju po thoni që tani e keni gjetur ligjin, në kohën kur është trajtuar ligji nuk ka pasur kriza. Si ka mundësi që nuk e keni parë që dy vjet që më ndryshuar nenin 9 që me ul pragun. Nuk ka qenë politik e jotja. Qëllimi i yti nuk e di, jashtë logjikës dhe nuk ki asnjë nismë. Kjo është e pavërteta e juaj. Ne e kemi vullnetin për me ndryshuar. Pse po fshehsh pas ligjit të Mustafës, pse se keni ndryshuar? Po fshehësh pas një raporti që e ka deleguar një qeveri e kaluar”, ka thënë Shala.
Murati duke ju përgjigjur deputetëve ka thënë se propozon që të falen deri në 100 euro për secilin tatim pagues.
“Ministria e Financave nuk mund t’i informoj të gjithë qytetarët, është dashur komunat që t’i informojnë. Ke një kërkesë nga deputetë që duhet të shkelet ligji, pse nuk është sjellë me herët, por është sjellë më vonë. Ministri i Financave çka mund të bëjë është ta ndryshoj ligjin, keni mundur që edhe ju ta ndryshoni si nismë ligjore. Si ministri ne po e ndryshojmë ligjin, si ministër do të sugjeroja që të gjitha komunat le t’ua falim 100 eurot e para për secilin tatimpagues, a jeni për ta përkrahur këtë. Kërkesa e juaj është që edhe milionerët që të mbështetën”, ka thënë Murati.
Për këtë propozim, ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se propozimi i ministrit Murati nuk është serioz, dhe se për këso propozime duhet të bëhen në bashkëpunim me ekspertët.
“Çfarë propozimi është ky? Hajde t’ju heqim 100 euro. Propozimi është që t’i mblidhni ekspertët dhe të dhuroni propozime konkrete”, ka thënë ai.
Por, Murati ka insistuar se propozimi i tij është i duhur. Ai ka akuzuar opozitën se nuk është duke e përkrahur qeverinë në nismat për mbështetjen e qytetarëve.