Murati: Gjeneratat e ardhshme do t’i përkulen luftës çlirimtare
Kryetari i LB-së, Valon Murati, ka thënë se gjeneratat e ardhshme dhe jo vetëm të shqiptarëve, do t’i përkulen luftës çlirimtare dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ne s’do të jemi nesër, po historia do t’i përkulet edhe sakrificës së shumë e shumë gjeneratave të shqiptarëve që dhanë çdo gjë për lirinë e Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Dhe ne s’do të jemi nesër, të tjera gjenerata do të ecin mbi këtë tokë, por historia dhe jo vetëm e jona, dhe gjeneratat e ardhshme dhe jo vetëm të shqiptarëve, do t’i përkulen luftës çlirimtare dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ne s’do të jemi nesër, po historia do t’i përkulet edhe sakrificës së shumë e shumë gjeneratave të shqiptarëve që dhanë çdo gjë për lirinë e Kosovës. E nesërmja do të vazhdojë të nderojë ata që ishin në rrugën e drejtë të lirisë, paraardhësit e UÇK-së – Hasan Prishtinën, Azem e Shote Galicën, Shaban Polluzhën, Gjon Sereçin, Adem Demaçin, Fazli Grajçevcin, Metush Krasniqin, Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun, Zija Shemsiun, Ali Ajetin e Hasan Ramadanin e qindra gra e burra, vajza e djem të këtij vendi që kurrë nuk u ndalën por besuan, besuan se edhe qiejt mund të preken atëherë kur dukej se armiku na kishte gjunjëzuar e shtrirë për toke. Dhe ne nuk do të jemi nesër, e po ashtu shumë prej fjalëve të sotme do t’i marr era, por liria që solli lufta çlirimtare e prirë nga UÇK-ja do të jetë këtu.