Murati hedh fajin tek LDK e PDK për pagesën e 11 milionë eurove për rrymën e veriut
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një shkrimi në Facebook, është munduar të sqarojë situatën e sotme duke bërë të ditur se KOSTT nuk do të duhej të paguante energjinë elektrike për serbët e veriut, por se kjo është një barrë dhe problem i cili është bartur nga qeverisja e LDK-së dhe PDK-së.
Ai ka thënë se pikërisht ata që po kundërshtojnë këtë vendim të sotëm të Kuvendit, për tua paguar rrymën e shpenzuar serbëve në veri, e kishin ngarkuar të njëjtën në faturat e qytetarëve kosovarë.
“Pra, pikërisht ata që për 20 vite me radhë barrën e rrymës së shpenzuar në veri, fillimisht e ngarkuan në faturat e qytetarëve, e pastaj në licencën e ndërmarrjes publike KOSTT, sot shfaqen të brengosur për qytetarin dhe KOSTT-in”, tha Murati.
Ai tutje ka thënë se këtë problem do ta zgjidhin por se fillimisht, duhet një bord i ri i ZRRE-së.
“Këtë problem, si shumë probleme tjera që na i kanë lënë do ta zgjidhim, por problemet e lidhura nyje për 20 vite nuk zgjidhen për një muaj.
Hapi i parë drejt zgjidhjes së ketij problemi do të jetë përzgjedhja e një bordi të ri të ZRRE-së me anëtarë me integritet, dhe që e duan shtetin”, ka shkruar ai.