Murati: Jeta e Bahri Fazliut është pishtar që na ndriçon rrugën çdo ditë
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka përkujtuar heroin e Kosovës, Bahri Fazliu, në 21-vjetorin e rënies së tij.
Murati ka thënë se në këto kohë të turbullta jeta e Bahriut është pishtar që na e ndriçon rrugën çdo ditë.
“Në kujtim të Bahri Fazliut – Gzimit . Vitet po kalojnë Gzim. Ti me shokë mbete i ri. Ashtu siç do jesh frymëzim i ri për gjitha brezat. Aktivist, militant, ideolog, publicist, poet, artist, e luftëtar lirie. Ti me jetën, punën e luftën tënde e preke lirinë, dhe bashkë me shokë na e solle atë. Për 27 vjet u bëre edhe dëshmor. Sa shumë jetë për aq pak vite. Në këto kohë të turbullta, jeta jote është pishtar që na e ndriçon rrugën çdo ditë. Po na e ndriçon që të mos bëjmë gabime të mëdha, të mos futemi skutave të errta, ku do të turpëroheshim kur të na kujtohesh ti. I përjetshëm do jetë kujtimi për ty”, ka shkruar Murati në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/