Murati kërkon ndryshime kushtetuese, që presidenti të zgjedhet nga qytetarët
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka folur për zgjedhjen e presidentit të vendit, për të cilën sëfundi është debatuar shumë mes pozitës dhe opozitës.
Në një shkrim në profilin e vet në “Facebook”, Murati ka shkruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese se dy herët e para të votimit duhet të jenë prezentë 80 deputetë (pra 2/3 e deputetëve) aq sa duhen për ta zgjedhur presidentin e bën këtë një mision shumë të vështirë për Kuvendin tonë që për asgjë nuk krijon konsensus.
“Edhe njëherë për zgjedhjen e presidentit, edhe njëherë për ndryshimet kushtetuese. Sa herë vije koha për zgjidhjen e presidentit me të drejtë opinioni publik shqetësohet, sepse krizat politike ia zënë vendin njëra tjetrës. Dhe ndonjëherë nuk janë të mjaftueshme as zgjedhjet e reja. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se dy herët e para të votimit duhet të jenë prezentë 80 deputetë (pra 2/3 e deputetëve) aq sa duhen për ta zgjedhur presidentin e bën këtë një mision shumë të vështirë për Kuvendin tonë që për asgjë nuk krijon konsensus”, ka thënë Murati.
Sipas tij, për shkak të zgjedhjes së presidentit, partitë politike vazhdojnë të shantazhojnë njëra-tjetrën e realisht e shantazhojnë Kosovën dhe funksionalitetin e shtetit tonë.
Postimi i plotë i Muratit:
Edhe njëherë për zgjedhjen e presidentit, edhe njëherë për ndryshimet kushtetuese
Sa herë vije koha për zgjidhjen e presidentit me të drejtë opinioni publik shqetësohet, sepse krizat politike ia zënë vendin njëra tjetrës. Dhe ndonjëherë nuk janë të mjaftueshme as zgjedhjet e reja. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se dy herët e para të votimit duhet të jenë prezentë 80 deputetë (pra 2/3 e deputetëve) aq sa duhen për ta zgjedhur presidentin e bën këtë një mision shumë të vështirë për Kuvendin tonë që për asgjë nuk krijon konsensus. Partitë politike vazhdojnë të shantazhojnë njëra-tjetrën e realisht e shantazhojnë Kosovën dhe funksionalitetin e shtetit tonë. Rrjedhimisht në diskursin publik fillon me të drejtë të kërkohet që presidenti të zgjidhet me votat e qytetarëve të Kosovës. Personalisht jam për një variant të tillë, duke qenë se me kushtetutën tonë presidenti ka mjaft fuqi dhe nuk do të kishte nevojë t’i shtoheshin përgjegjësitë. Sidoqoftë, për një zgjidhje të tillë politike, duhet ndryshime kushtetuese. Andaj habitem me shumë miq të mi të cilët vazhdojnë të propozojnë këtë zgjidhje, pa e diskutuar vështirësinë e ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë jo vetëm 2/3 e gjithë deputetëve, por edhe 2/3 e deputetëve të pakicave. Që nënkupton së paku 4 deputetë nga Lista Serbe duhet të votojnë për ndryshimet kushtetuese me ç’rast do t’ia zvogëlonin peshën votës së tyre (serbe) në zgjedhjen e presidentit. Ashtu siç deputetët e Listës Serbe nuk e dhanë votën për ushtrinë, dhe në vend të rrugës normale të ndryshimeve kushtetuese u dashtë që krijimi i ushtrisë të përbirohej përmes ndryshimeve ligjore, edhe sa i përket jo vetëm zgjedhjes së presidentit, por edhe ndryshimit të ndonjë presjeje në kushtetutë, deputetët e Listës Serbe nuk do ta japin votën. Vota e tyre, në kontekstin tonë nuk është votë e komunitetit serb në Kosovë por është votë e Serbisë. Përmes këtij mekanizmi Serbia e mban Kosovën jofunksionale dhe të shantazhueshme në disa fusha. Dhe kjo pjesë ishte zgjidhja më e dëmshme që i erdhi Kosovës përmes Pakos së Ahtisaarit, rrjedhimisht që u transferua edhe në kushtetutën e Kosovës së pavarur. Ky mekanizëm na lë në status-quo. Andaj duhet së pari të pajtohemi sesi duhet të dalim nga kjo gjendje e status-quos dhe e jofunksionaliteti e cila patjetër duhet të përfundojë përmes ndryshimeve kushtetuese. E për këtë ka vetëm një rrugë për ta larguar Serbinë nga Kosova. Por për këtë njëherë tjetër.