
Murati: Kontrata për sheshin ‘Xhorxh Bush’ është nënshkruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi
Ministri në detyrë i Financave dhe deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka kritikuar Komunën e Prishtinës për nënshkrimi i kontratës për rregullimin e sheshti “Xhorxh Bush”.
Ai ka thënë se nënshkrimi i kësaj kontrate prej 18 milionë eurove është bërë pa e pasur buxhetin e nevojshëm të ndarë.
Murati ka shkruar në “Facebook” se nënshkrimi i kësaj kontrate është bërë në kundërshtim me legjislacionin ne fuqi.
“Shpallja e tenderit dhe nënshkrimi i kontratës 18 milionë euro për sheshin ‘Xhorxh Bush’ nga Komuna e Prishtinës është bërë pa pasur buxhetin e nevojshëm të ndarë, gjë që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Për çdo procedurë prokurimi, kërkohet të nënshkruhet Deklarata e disponueshmërisë së fondeve, e cila siguron se organizata, në këtë rast Komuna e Prishtinës, ka fondet e mjaftueshme të buxhetuara. Në Deklaratën e disponueshmërisë të nënshkruar në vitin 2024 nga Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe nga Zyrtari kryesor financiar, thuhet se mjetet e nevojshme për këtë projekt janë 18.4 milionë euro, dhe se ato janë të buxhetuara në kodin 53984 – Rregullimi i sheshit “George Bush”.”, ka shkruar Murati, duke dhënë detaje tjera.
“Problemi qëndron në faktin se në kodin e projektit në fjalë, në vitin 2024 kanë qenë të buxhetuara vetëm 1.89 milion euro, nga mjetet vetanake të bartura nga viti paraprak. Pra, Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurimi me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, apo 1/10 e buxhetit të nevojshëm. Ndërkaq pas zhvillimit të procedurës së prokurimit, kontrata është nënshkruar sivjet, që përbën shkeljen e radhës, sepse buxheti i Komunës së Prishtinës megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u integruar si plotësim/ndryshim i Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2025”, ka shkruar Murati.
Ndër të tjera, ai ka thënë se Ligji për buxhetin për vitin 2025 nuk e përmban fare ndërtimin e këtij sheshi.
“Me fjalë tjera, ligji i buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025, nuk e përmban fare projektin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore. Raste të tilla të futjes në obligime financiare pa mbulesë përbëjnë shkelje të ligjit për financa publike si dhe ligjit për prokurim publik, dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të komunës. Dëshiroj të besoj që organet e rendit do të kenë zellin e nevojshëm ta trajtojnë këtë rast flagrant të shkeljes ligjore”, ka shkruar Murati.