Murati, Lekajt: Keni krijuar monopole, u keni vënë haraç qytetarëve

04 qershor 2021 | 11:55

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës lidhur me çështjen e faljes së gjobave të bizneseve dhe qytetarëve gjatë pandemisë.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, Murati ka thënë se deputetët kanë nevojë që t’u sqarohet se si funksionon shteti.

“Z. Lekaj po thoni se ne po vijmë këtu që gjoja me ua sqaruar se si funksionin shteti, mirëpo me të vërtetë është e nevojshme. Hiç më larg se kur keni qenë në qeveri, ka qenë vet kryeministri asokohe, z. Haradinaj që thoshte se po e harxhojë rezervën, se mos me e harxhuar po hup, e me e harxhuar po mbushet vitin tjetër. Ky është konceptimi që e keni për buxhetin ju. Patjetër që duhet me ua shpjeguar, se çka është rezerva dhe si mbushet ajo rezervë”, ka thënë Murati.

Ministri Murati ka thënë se deputetët dhe qytetarët janë të barabartë dhe se të gjithë duhet që t’i paguajnë gjobat e pandemisë.

“Unë e di që ka deputet edhe brenda grupit tuaj parlamentar që është dënuar dhe që e ka paguar dënimin. Gjobat janë kundërvajtje dhe jo vepër penale. Deputeti mund të dënohet. Patëm lajme edhe për deputet të tjerë që janë dënuar. Kur dënohet deputeti janë të barabartë me qytetarin dhe duhet ta paguajnë gjobën të gjithë”,  ka thënë Murati, duke ia përmendur Lekajt edhe marrëveshjen me një kompani e që sipas tij u ka vendosur haraç qytetarëve prej 100 euro.

“Ju z. Lekaj doli në lajme që kundërligjshëm keni nënshkruar një vazhdim të monopolit me kompaninë ‘Eurolab’ edhe pse në seancë pate thënë që nuk e keni nënshkruar. Tash ju që bëni këso gjërash në dëm të qytetarëve, për një moment ju ka rënë në mend për qytetarët dhe se duhet me i falë qytetarët. Ju i keni dëmtuar xhepat e qytetarëve dhe u keni qit haraç prej 100 euro për çdo veturë. Tash ju e dilni  e flisni për këta qytetarë”, ka thënë Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, është takuar me…