Murati: Lista Serbe nuk e ka rol primar mbrojtjen e interesave të serbëve të Kosovës
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka reaguar ndaj vendimit të Listës Serbe e cila ka paralajmëruar se veprimet e saj në Kuvendin e Kosovës do të jenë si opozitë.
Murati përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Lista Serbe rol primar e ka jo mbrojtjen e interesave të serbëve të Kosovës, por të Serbisë në Kosovë.
“Së fundmi roli i saj po shihet edhe me kërcënimet që po i bën për rrëzimin e qeverisë, për shkak të taksës 10% që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave serbe si kundërpeshë e veprimtarive të vazhdueshme kundër Kosovës që po i ndërmerr Serbia në arenën ndërkombëtare. Andaj krijimi dhe funksionimi i qeverive të Kosovës, të cilat varen nga vota e pakicës serbe, përkatësisht nga interesat e Serbisë në Kosovë, është krejtësisht i gabueshëm”, ka shkruar lideri i LB-së.
Postimi i plotë i tij:
Lista Serbe rol primar e ka jo mbrojtjen e interesave të serbëve të Kosovës, por të Serbisë në Kosovë. Dhe kështu do të jetë deri në heqjen e privilegjeve kushtetuese që i kanë serbët në Kosovë, e cila do të duhej të realizohej përmes zgjidhjes së problemeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Së fundmi roli i saj po shihet edhe me kërcënimet që po i bën për rrëzimin e qeverisë, për shkak të taksës 10% që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave serbe si kundërpeshë e veprimtarive të vazhdueshme kundër Kosovës që po i ndërmerr Serbia në arenën ndërkombëtare.
Andaj krijimi dhe funksionimi i qeverive të Kosovës, të cilat varen nga vota e pakicës serbe, përkatësisht nga interesat e Serbisë në Kosovë, është krejtësisht i gabueshëm. Duke qenë se me këtë kushtetutë, prania e serbëve në qeveri është e domosdoshme, partitë tona politike, do të duhej të krijonin qeveri të tilla që nuk do të varej nga kjo votë. Në rrethanat aktuale (ashtu siç ka insistuar LB-ja që para formimit të kësaj qeverie), varianti më optimal do të ishte krijimi i një qeveri të unitetit kombëtar me mandat të kufizuar njëvjeçar dhe me dy detyra themelore: krijimin e konsensusit për bisedimet me Serbinë si dhe reformën zgjedhore që do të nxirrte një legjislaturë më përfaqësuese dhe legjitime.
Kjo në pamje të parë duket se mund të funksionojë në një rrethanë ideale e jo në një situatë aq të tensionuar të brendshme politike. Por në të vërtetë, qeveritë e unitetit nuk vijnë në situata ideale, ato janë produkt i situatave të jashtëzakonshme dhe vendimtare si këto nëpër të cilat po kalon vendi. Nëse nuk gjendet forcë për një qeveri të tillë, ne do të sillemi në rrethin ciklik të konflikteve të brendshme, dhe të kushtëzimeve të vazhdueshme të Listës Serbe. E vendi do të ngec, qytetarët do të vazhdojnë të zhgënjehen.