Murati në takimet vjetore të BERZH-it kërkon qasje proaktive ndaj sektorit privat

02 korrik 2021 | 12:47

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka marrë pjesë në takimet vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në cilësinë e guvernatorit të Republikës së Kosovës në këtë Bankë.

Gjatë seancës plenare, Murati së bashku me guvernatorët e shteteve të tjera anëtare të Bankës, vlerësuan lartë angazhimin e BERZH-it në adresimin e krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19 përmes instrumenteve fleksibile dhe efektive të investimit.

Më tutje, në deklaratën e tij, Murati ka inkurajuar menaxhmentin e Bankës që të ketë qasje proaktive në angazhime si të sektorit privat ashtu edhe atë publik, në mënyrë që të sigurohet rimëkëmbje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme.

Ministri po ashtu ka theksuar edhe rëndësinë e adresimit të sfidave të ngrohjes globale duke ndjekur Ambiciet Klimatike të BERZH-it, sado sfiduese që mund të jenë karshi sfidave tjera zhvillimore të vendit tonë.

Duke e mbështetur bashkëpunimin e shkëlqyer të së kaluarës, ministri Murati ka përsëritur angazhimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në implementim të iniciativave për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

BERZH-i këtë vit feston 30-vjetorin e themelimit, ndërsa Republika e Kosovës është anëtarësuar në këtë institucion ndërkombëtar financiar që nga viti 2012.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ditën e dytë të “Forumit të Prespës për Dialog”,…