Murati: Mos e dëmtoni popullin për shkak të një njeriu
Kryetari i Lëvizës për Bashkim (LB), Valon Murati, ka vlerësuar se të gjithë ata që po dalin kundër idesë së bashkimit të Luginës së Preshevës, për shkak të propozuesit po i bëjnë dëm të madh Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se mundësia për të biseduar për këtë çështje është një rast që nuk vjen shpesh.
“Ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rruga e duhur për ta funksionalizuar shtetin e Kosovës, për ta bashkuar Kosovën Lindore me Kosovën duke ia dhënë të njëjtën të drejtë serbëve atje ku janë shumicë në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok. Mundësia për të biseduar për këtë çështje është një rast që nuk vjen shpesh. Andaj, t’i ndajmë dy gjëra: Presidentin Thaçi si riaktualizues të kësaj ideje dhe vet idenë e konceptin. Të gjithë ata që po dalin kundër idesë, për shkak të propozuesit po i bëjnë dëm të madh Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare”, ka shkruar Murati, duke shtuar se nuk duhet të këtë dilema rreth kësaj ideje. “Është krejt legjitime të ketë dilema për propozuesin, por kjo nuk kërkon goditje të idesë, por përfshirje të të gjithë atyre që kanë dyshime në kredibilitetin e presidentit, dhe madje me kërkesë për ta udhëhequr këtë proces kaq delikat. Po ta kërkonin këtë, sidomos LVV por edhe LDK, do të ishin parimore, përndryshe janë vetëm shfrytëzuese manipluative të situatës për të fituar një votë më shumë, por për ta dëmtuar rëndë të ardhmen e vendit”, ka thënë lideri i LB-së, Valon Murati.
/Epoka e re/