Murati: Ne koordinohemi me aleatët, raportimet për prishje të raporteve janë propagandë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka komentuar kritikat e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien.
Në konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është në koordinim me aleatët për çdo veprim të saj.
Pavarësisht kritikave të ShBA-së se qeveria nuk është koordinuar me ta për çështjen e dinarit, Murati ka thënë se ekzekutivi i njofton aleatët për çdo njoftim.
“Ne jemi partner të përkushtuar dhe i ndajmë të gjitha informatat e nevojshme me ta. Është një vendim i BQK-së i dhjetorit të vitit të kaluar. Ka qenë i planifikuar të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Ne koordinohemi, konsultohemi dhe kemi parasysh të gjitha aspektet. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë e mbështesin njëzëri qëllimin që do të arrihet përmes këtij vendimi, i vetmi dallim ka qenë te periudha tranzitore”, ka thënë ai, duke shtuar se raportimet për prishjen e raporteve të Kosovës me ShBA-në janë propaganda e Beogradit.
“Këto prishjet e raporteve janë propagandë të elementeve kryesisht nga Beogradi për një çështje që është tërësisht teknike”, është shprehur Murati.