Murati përkujton Agron Rrahmanin: Sot po e nderojmë një vigan të luftës sonë çlirimtare
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka përkujtuar komandantin e UÇK-së Agron Rrahmanin në 22-vjetorin e rënies.
Murati i cili e kishte shok Agron Rrahmanin ka bërë sot homazhe pranë varrit të tij bashkë me miq e familjarë.
“Shok i dashur, gjithmonë i buzëqeshur por me vullnet të çeliktë në rrugën e lirisë e të luftës çlirimtare, komandanti ynë, na ka marrë malli. 22 vjetët pa ty nuk po e shuajnë mallin, por po na grumbullohet si një lëmsh në gjoks. E ndonjëherë nuk jemi të fortë e na shpërthen ai lëmsh”, ka shkruar Murati në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Muratit në “Facebook”:
Hapi i rëndë i komandantit…
Shok i dashur, gjithmonë i buzëqeshur por me vullnet të çeliktë në rrugën e lirisë e të luftës çlirimtare, komandanti ynë, na ka marrë malli. 22 vjetët pa ty nuk po e shuajnë mallin, por po na grumbullohet si një lëmsh në gjoks. E ndonjëherë nuk jemi të fortë e na shpërthen ai lëmsh. Na i bën hallall lotët.
Sot po e nderojmë një vigan të luftës sonë çlirimtare, Agron Rrahmanin, një ndër udhëheqësit e LKÇK-së, komandanti i njësisë së parë guerile të Prishtinës “Rexhep Mala”, që ishte paraprijëse e Gueriles së Prishtinës “BIA” të UÇK-së.
Ndrije si yll në terrin e natës që na ka pas pllakosur. Së bashku me shokë pate vendosur natën dritë të bësh. E dritë e përjetshme do të mbetesh në kujtimet e shqiptarëve dhe të gjithë liridashësve të botës.
(A. M / Epoka e re).