
Murati: Opozita është e painteresuar ta konstituojë Kuvendin
Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka akuzuar sërish opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
“Kjo është sjellja e opozitës aktuale. Janë totalisht të painteresuar që të konsistuojnë Kuvendin dhe të zhbllokojnë procesin, pra edhe bllokojnë, por edhe s’duan të hapin rrugë për të tjerët që të zhbllokojnë. Me votën e tyre kundër ata po e pamundësojnë konstituimin e Kuvendit. Duhet të rikthehemi te baza, Kushtetuta thotë propozimi i takon partisë fituese”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se partia e parë s’mund të marrë propozime nga partia e katërt, duke iu referuar propozimit të AAK-së për Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimin.
Murati ka thënë se nëse opozita e kushtëzon votimin, atëherë edhe partia e parë mund të kushtëzojë zgjedhjen e nënkryetarëve nga këto parti.
“Nëse fillojmë të hyjmë në qarkun e kushtëzimeve, Kuvendi s’do të konsituohej kurrë. Ne s’jemi të interesuar për bllokada. Po të varej prej neve Kuvendi do të konstituohej më 15 prill”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se si zgjidhje për dalje nga kjo situatë është që “të gjitha subjektet opozitare që të reflektojnë ngjashëm si herën e kaluar.
Për Haxhiun, ai ka thënë se është deputetja më e votuar në legjislaturën aktuale.
“Nëse hymë në skenarë të tillë do të ishte paradoksale. S’mund të kemi skenarë ku edhe ne e kemi shumicën prej 61 votash edhe opozita për t’i votuar nënkryetarët”, ka thënë ai.
Murati ka paralajmëruar sërish se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, do t’i ftojë edhe njëherë në konsultime përfaqësuesit e partive politike.
“Në thirrjen të konsultimeve të marrë pjesë edhe LDK-ja, jo sikurse sot që s’mori pjesë dhe që të ketë një dakordim për të ecur përpara”, ka thënë Murati.