Murati: Për pesë ditë në grevë, rreth 90 euro më pak në rrogë

29 gusht 2022 | 15:43

Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, ka thënë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj (në pagë)”,ka thënë Murati gjatë një konference për media.

Nga e enjtja e 25 gushtit, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Murati ka thënë se praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin të paguaj grevistët për atë kohë sa ata janë në grevë.

“Kur punëtorët hyjnë në grevë, grevistët mbulohen (kompensohen) nga sindikata”.

“Në pesë vitet e fundit, nga Thesari i Kosovës, rreth 3.2 milionë euro është shuma e mjeteve që u janë ndalë nga paga punëtorëve të arsimit (në emër të anëtarësisë) me urdhër të Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) dhe janë bartur në llogari të kësaj sindikate”, ka thënë Murati.

Greva është organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Nga Sindikata për Arsim kanë paralajmëruar se do të ketë grevë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.

“Radio Evropa e Lirë: ka kontaktuar kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj për të marrë qëndrimin e sindikatës për deklaratat e ministrit Murati, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Ali Gashi, nënkryetar i këshillit grevist i ka thënë më herët “Radios Evropa e Lirë” se greva do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve.

“BSPK-ja është jashtëzakonisht e interesuar që të negociojë me zyrtarët e Qeverisë. Prandaj, i bëjmë apel ekzekutivit që të reflektojë që të gjendet një zgjidhje për të dyja palët ”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se nëse qeveria nuk reflekton, greva nuk do të ndërpritet dhe nxënësit nuk do të fillojnë vitin e ri shkollor, që duhet të nisë më 1 shtator.

BSPK-ja përmes një komunikate për media më 26 gusht i ka quajtur kërcënime deklaratat e sekretarit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu, se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë.

Në Ligjin për greva të Kosovës thuhet se “organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale”.

Neni 18 i Ligjit për greva thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Por, sipas Ligjit për greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme është i kundërligjshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për shkak të mos plotësimit të kërkesave nga ana e…