Murati e ambasadori norvegjez flasin për mbështetjen e sektorit privat
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për gjendjen emergjente shëndetësore me pandeminë Covid-19.
Ministri Murati e ka falënderuar ambasadorin Grondahl për projektet të cilat i ka financuar shteti norvegjez në Kosovë, me theks të veçantë projektet në sistemin e drejtësisë dhe shoqërisë civile.
Gjatë takimit, Murati dhe ambasadori Grondahl diskutuan për gatishmërinë dhe masat që do të ndërmarrë Qeveria Kurti për t’i ofruar mbështetje financiare sektorit privat të ndikuar drejtpërdrejt nga vendimi i qeverisë si dhe për planin zhvillimor dhe legjislativ të qeverisë me theks të veçantë formalizimin e ekonomisë, luftimin e korrupsionit si dhe zbatimin e ligjit.
Ndërsa, ambasadori norvegjez Jens Erik Grondahl shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se mbështetja e shtetit norvegjez do të vazhdojë edhe në të ardhmen.