Murati priti në takim deputetët e parlamentit gjerman, flasin për fushën e punësimit
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekurani Murati, ka pritur të martën në takim deputetët e Komisionit për Çështje të Punës dhe Sociale të parlamentit gjerman.
Takimi u fokusua në situatën ekonomike të vendit, me theks të veçantë në fushën e punësimit. Ministri Murati e njoftoi Komisionin për Çështje të Punës dhe Sociale të parlamentit gjerman lidhur me kushtet e tregut të punës në Kosovë, duke përmendur rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve si një ndër të arriturat kryesore në këtë fushë.
Tutje, deputetët gjermanë u njoftuan edhe lidhur me proceset që po ndërmerren nga aspekti administrativ, përfshirë këtu riorganizimin e Agjencisë së Punësimit, ngritjen e kapaciteteve të Inspektoratit të Punës e kështu me radhë.
Së fundmi, ministri dhe deputetët gjermanë diskutuan lidhur me mundësitë e bashkëpunimit, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira mes të dyja vendeve.