Murati: Problemi i rrugës Deçan-Plavë duhet të zgjidhet urgjentisht

28 maj 2018 | 14:30

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka reaguar ndaj veprimit të Manastirit të Deçani për të bllokuar asfaltimin e rrugës Deçan-Plavë.

Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se këtë problem qeveria duhet ta zgjidhë urgjentisht. “Rruga Deçan-Plavë është jetike për shqiptarët që jetojnë në Plavë, Guci dhe trevat e tjera në Mal të Zi. Problemin e dalë me Manastirin e Deçanit, qeveria duhet ta zgjidh urgjentisht. Sidoqoftë, edhe kjo krizë, dëshmon se korniza aktuale ligjore dhe kushtetuese e vështirëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Në anën tjetër Kishës Serbe, pakicës serbe e rrjedhimisht Serbisë i jep privilegje të tilla, të cilat sa herë të duan e pengojnë këtë funksionalitet, qoftë edhe me pengimin e projekteve të tilla infrastrukturore. Manastiri i Deçanit dhe komuniteti fetar serb do të duhej të kuptonte që e vetmja mënyrë për avancimin e marrëdhënieve të mira me shqiptarët, është njohja e realitetit dhe bashkëpunimi me ta në të mirën e dyanshme”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se ndërtimi i kësaj rruge e rrit vlerën kulturore e turistike edhe të Manastirit të Deçanit, si një pasuri kulturore e njerëzimit.

“Përndryshe keqpërdorimi i privilegjeve të garantuara me ligje e Kushtetutë, dhe zbatimi i tyre në dëm të shumicës, në realitet veç e vështirëson pajtimin në mes të popujve dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë”, ka shkruar Murati.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së Lamih Balaj, sot ka…