Murati qetëson qytetarët: S’ka rrezik për luftë, situata në vend është e qetë

10 korrik 2024 | 13:29

Ndonëse krerët e shtetit në çdo deklarim kryefjalë e kanë “luftën” dhe “sulmin” nga Serbia, të kundërtën e mendon ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ky i fundit, ka thënë se situata është e qetë.

Gjatë raportimit të mërkurën në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Murati është pyetur nëse deklarimet për luftë largojnë investitorët.

“Jemi të koordinuar. Në të kaluarën rreziku ka ardhur edhe nga vetë brenda territorit, kurse tash me rend dhe ligj nuk ka rrezik. Çfarë mund të ketë rrezik është jashtë vendit, në këtë rast Serbia”, është shprehur Murati.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj e ka pyetur Muratin nëse kjo deklaratë e tij është në shpëputhje me ato të krerëve të shtetit.

“Nuk po korrespondon me deklaratat e kryetarit dhe kryeministrit se situata në veri është e qetë. Kemi dëgjuar deklarata nga kryetari i Kuvendit se do zhvillohet një luftë. Këto deklarata nuk janë të mira për vendin, investitorët. Është ndonjë prapavijë kjo. Nuk besoj se është mirë që krerët e vendit të proklamojnë luftë. Këto deklarata janë të pamatura. A jeni të koordinuar? Me koordinim a pa koordinim?”, ka pyetur Lekaj, i cili ka marrë këtë përgjigje nga ministri Murati.

“Është tërësisht në përputhje deklarata e kryetarit dhe kryeministrit. Kurrë më qetë situata nuk ka qenë në veri. Rreziku mbetet vetëm nga jashtë”, është shprehur Murati.

Më tutje, Lekaj ka pyetur Muratin edhe për masat nga Bashkimi Evropian.

“Ne po miratojmë marrëveshje ndërkombëtare që i kemi të ngrira. Nuk dimë kur do hiqen sanksionet. Sado që jemi të zbehtë me deklarime po pëson qytetari dhe vendi. Nuk ka muaj që nuk kërkohet të votohen marrëveshjet. Nëse si ministër keni informacione sa ka pësuar vendi në këtë drejtim se është goxha shqetësuese për atë që e kanë marrë implementimin e marrëveshjes përveç deklaratave të kryeministrit nuk kemi ndonjë informacion të saktë. Dua të dije si po shkon puna në këtë drejtim?”, është shprehur Lekaj.

Duke u përgjigjur në këtë pyetje, Murati ka thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave. /EO

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Frances, Kylian Mbappe e ka pranuar se Spanja…