Murati: Qeveria erdhi me premtime për reciprocitet, por nuk e përmendi Kosovën Lindore asnjëherë
Kreu i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, është shprehur se Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë ndër qytetarët më të diskriminuar sot për sot në Evropë.
Murati, përmes një postimi në facebook ka thënë thelbi i zgjidhjes së problemit të Kosovës Lindore qëndron në shndërrimin e saj në çështje që kërkon zgjidhje reciprokisht të njëjtë me atë të serbëve në veriun e Kosovë.
“Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë ndër qytetarët më të diskriminuar sot për sot në Evropë. Andaj çdo protestë dhe kërkesë e tyre është e drejtë. Por thelbi i zgjidhjes së problemit të Kosovës Lindore qëndron në shndërrimin e saj në çështje që kërkon zgjidhje reciprokisht të njëjtë me atë të serbëve në veriun e Kosovë. E kjo mund të bëhet vetëm nëse arrihet që kjo çështje futet në tryezën e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Murati.
“A është vonë për këtë qasje? Nuk besoj, sepse ende asgjë nuk është zgjidhur në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por kjo detyrë i takon qeverisë së Kosovës, e sidomos kësaj qeverie që ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha për reciprocitet, por që asnjëherë nuk e shtroi çështjen e Kosovës Lindore në bisedime si një çështje që kërkon qasje serioze jashtë politikave e deklaratave ditore populiste”, tha ai.