Murati: Qeveritarët dhe deputetët po mendojnë më shumë për zgjedhjet e ardhshme
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka kritikuar për mënyrën se si është duke u zhvilluar debati në Kuvendin e Kosovës për dialogun me Serbinë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se edhe kësaj radhe po del se deputetët e qeveritarët më shumë se për dialogun dhe rezultatet e tij, mendojnë për zgjedhjet e ardhshme.
“Fatkeqësisht, nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë, edhe kësaj radhe po del se deputetët e qeveritarët më shumë se për dialogun dhe rezultatet e tij, mendojnë për zgjedhjet e ardhshme (disa edhe brenda partiake), dhe efektet që fjalimet e tyre do të kenë në elektorat (disa edhe brenda vetë partisë). Andaj shumica flasin se kush do t’i udhëheq bisedimet, e aspak se si do të ndërtohet një platformë bisedimesh dhe çka do të përmbaj ajo. Nuk po e kuptojnë se nuk e kemi luksin të mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, kur ardhmëria e vendit mund të dëmtohet seriozisht”, ka shkruar Murati.
/Epoka e re/