Murati: Regjistrimi i popullsisë i vitit 2022 do të jetë më cilësor dhe më i sigurt
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtur debat publik lidhur me Projektligjin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.
Nga ky debat u tha se regjistrimi i popullsisë ndikon që të kemi një pasqyrë më gjithëpërfshirëse për përgatitjen e planeve strategjike që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.
Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se projekti i regjistrimit të popullsisë 2022 do të jetë më cilësor dhe më i besueshëm.
Murati ka theksuar se regjistrimi i popullsisë është projekt i rëndësishëm nacional që mundëson të adresohen drejtë sfidat dhe objektivat që do të ndikojnë në krijimin e një shteti zhvillimor dhe funksional përballë nevojave të qytetarëve të vendit.
“Regjistrimi i popullsisë i viti 2022 do të mbulojë edhe një boshllëk me të dhënat, duke krijuar kështu një bazë solide për hartimin dhe zbatimin dhe monitorimin e një game të gjerë të politikave publike të cilat do të kenë ndikimin e drejtpërdrejt në mirëqenie të qytetarëve tanë. Me zhvillimet e fundit përgatitore, pritjet janë që ky regjistrim i popullsisë të jetë më cilësor se sa ai i vitit 2011. Kemi ndryshim edhe sa i përket numrit të pyetjeve, por besoj që edhe sistemi dhe teknologjia e monitorimit që do të aplikohen do të kenë ndikimin e vetë pozitiv”, ka thënë ministri Murati.