Murati: Serbia vazhdon të jetë bastion i politikave fashiste ndaj Kosovës
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar ndaj ndalesës që Serbia ua ka bërë karateistëve të Kosovës në Kampionatin Evropian të Karatesë për seniorë që mbahet në Novi-Sad.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Serbia vazhdon të jetë bastion i politikave fashiste ndaj Kosovës, dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Postimi i plotë i Muratit në “Facebook”:
Për Ditën e Evropës, Serbia vazhdon të sillet në mënyrën më anti-evropiane, duke mos lejuar karateistët tanë të marrin pjesë në Kampionatin Evropian. Për Ditën e Fitores ndaj Fashizmit, Serbia vazhdon të jetë bastion i politikave fashiste ndaj Kosovës, dhe shqiptarëve në përgjithësi. Fashizmi i mposhtur më 9 maj të vitit 1945, viteve të fundit në formën e së djathtës ekstreme ka filluar të rizgjohet në Evropë e SHBA. Ndërsa në Serbi, bastion ky i fundit ku fashizmi në formën e tij millosheviqiane ishte në pushtet në fund të shekullit 20-të, fashizmi vazhdon të dëshmojë ndikimin e tij në politikat aktuale shtetërore. Fashizmi ishte e keqja më e madhe e njerëzimit. Fitorja ndaj tij, nuk duhet të demobilizojë forcat demokratike. Evropa e ka brenda, ne e kemi tek dera e shtëpisë, në Serbi. Për të mirën e njerëzimit, fashizmit i duhen këputur rrënjët, në një përpjekje të përbashkët të të gjitha forcave demokratike e përparimtare në Evropë e botë. Urime Dita e Evropës, urime Dita e Fitores ndaj Fashizmit.