
Murati: S’i kontrollojmë çmimet e energjisë, në rritje ndikoi lufta në Ukrainë
Deputeti/ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qeveria nuk i kontrollon tarifat e energjisë elektrike.
Murati që vjen nga partia e cila kur ishte në opozitë, kritikonte partitë tjera sa herë që rritej ky çmim, para gazetarëve, ka thënë se qeveritë e mëhershme “kanë pasur ndikim në mënyrë të tërthortë”.
“Sa i përket tarifave, ajo që mund të them, si qeveri në pjesën ku qeveria ka kontroll së paku afatshkurt, se qeveritë e mëhershme kanë pasur ndikim në mënyrë të tërthortë, duke bërë investimet siç kemi avokuar, fatkeqësisht ato nuk janë bërë. Ka pasur devijim të projekteve apo tentime për të shkuar në terrene që do të ndikonin në çmim të papërballueshëm”, ka thënë Murati.
Më tutje, Murati ka thënë se qeveria nuk ka kontroll mbi çmimet e importit, dhe se vitet e fundit në rritje ka ndikuar lufta në Ukrainë.
“Ajo që kemi mund, që ka qenë në kontrollin e qeverisë, është që energjia që KEK e prodhon, sa e shet. Çka ka ndikuar në rritje të tarifave? Mund të jenë dy çështje, kostot operacionale dhe çmimi i furnizimit nga importi. Mund të drejtoni pyetje edhe komente te institucioni që merret. Ne si qeveri kontroll nuk kemi mbi çmimet e importit, aq sa kemi në çmimin e naftës. Fatkeqësisht viteve të fundit, për shkak edhe të luftës në Ukrainë dhe politikave të tjera, ka pasur një rritje të çmimeve të energjisë elektrike”, ka deklaruar Murati.
Kujtojmë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka vendosur ta rris çmimin e energjisë elektrike për 16.1 për qind.