Murati thotë se borxhi publik është në nivelin më të ulët, kundërshtohet nga LDK-ja e AAK-ja
Shifrat e borxhit publik për vitin 2023 kanë nxitur polemika në mes të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe deputetëve të opozitës.
Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, në të cilin ka raportuar Murati dhe përfaqësues të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore lidhur me realizimin e të hyrave për vitin 2023, ministri ka thënë se borxhi publik është në nivelin më të ulët në Evropë.
“Sa i përket kësaj pike për borxhin publik, mund të them se si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi munduar që të stabilizojmë borxhin publik, e madje në vitin paraprak kemi pasur rënie në vlerë absolute të borxhit krahasim me vitin 2022, dhe për më tepër rënia është theksuar edhe me tej në terma relativ, pra kur krahasohet si borxh ndaj bruto prodhimit vendor. Nëse flasim me shifra konkrete, pra borxhi ndaj GDP-së në vitin e kaluar është mbyllur me 17.2 për qind e GDP-së në krahasim me vitin 2020 që ka qenë 22.44 për qind. Nëse shihet trajektorja që nga viti 2020 e këndej, ka pasur rënie të vazhdueshme të borxhit publik, pra vitin e fundit sidomos ka pasur rënie edhe në vlerë absolute. Pra, duke reduktuar kryesisht vlerën e letrave me vlere të emetuara nga qeveria”, ka thënë Murti, raporton Ekonomia Online.
Deklarimi i ministrit Murati për ulje të borxhit ka nxitur reagim të deputetit Avdullah Hoti, i cili ka thënë se borxhi publik vetëm është mirëmbajtur dhe nuk ka pasur përmirësim të performancës.
Sipas Hotit, nuk mund të merret referencë viti 2020 i pandemisë pasi në atë kohë është rritur kreditimi dhe ka qenë në rritje shkaku i situatës së jashtëzakonshme.
Ai ka thënë se 17 për qind e GDP-së ka qenë borxhi edhe në vitet paraprake. “Nëse e merreni vitin 2019, besoj se kjo duhet të merret. Sot kemi 462 milionë euro më shumë borxh publik, nuk po them se është keq, por t’i citojmë shifrat saktë. Nuk ke ulje në borxhin publik, por e ke mirëmbajtur një praktikë të mirë, të etabluar nga Qeveria e Kosovës në mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, Fondi Monetar në veçanti. Bile t’i ke qenë një ndër personat kyç në huazimet gjatë qeverive të kaluara. Puna jote në borxhin publik shenjë nuk ia ka lënë këtij vendi. Asgjë nuk ke bërë. 17 për qind e ke gjetur”, ka thënë ai.
Hoti i është drejtuar ministrit Murati që t’i lejë ironitë më të, pasi siç ka thënë, nuk është duke u munduar që ta poshtërojë askënd. Hoti ka kërkuar sqarime pse nuk është bërë vlerësim kreditor.
Ministri Murati ka thënë se në vitin 2023 janë disbursuar 102.4 milionë nga 692 milionë të ratifikuar.
Sipas tij, në vitin 2023 në Kuvend janë ratifikuar kredi në vlerë afro 300 milionë euro.
Murati ka thënë se janë duke ndërtuar një historik për një trend të menaxhimit të mirë të kredisë.
Për këtë ka ndërhyrë Hoti, duke thënë: “mos me mua kështu se kjo është diskutuar gjatë kohës se kam qenë ministër dhe e kemi diskutuar se a të bëhet atë vit apo vitin tjetër”.
Hoti ka vazhduar tutje me pyetje për ministrin Murati: “Pse nuk bëhet vlerësimi i kostos kreditore kur është diskutuar të bëhet më 2017. A e din sa humbjen e ka ekonomia e Kosovës shkaku i kësaj?”.
E Murati ka thënë se do ta bëjnë këtë dhe do të bëhet për herë të parë.
E pas kësaj, Hoti i ka thënë se Muratit se nuk do të jetë ministër më, pasi sipas tij, mandati u shkojë.
Edhe deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se nuk ka pasur trend të zvogëlimit të borxhit por vetëm mirëmbajtje.
“Borxhi publik i Kosovës është më i ulëti në rajon, jo fal kësaj qeverie, por çdo herë ka qenë kështu. Unë nuk mendoj se ju duhet të krenoheni që keni ulur borxhin. Juve ju mungon disbursimi i mjeteve në investime kapitale, e di që keni vështirësi në marrëveshje. Ju e keni mirëmbajtur borxhin, nuk mund të na shitës që ka pasur suksese të kësaj qeverie”, ka thënë Lekaj.