Murati thotë se Kurti s’ka guxim ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë

15 maj 2022 | 11:56

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati në një intervistë për “Ekonomia Online” ka thënë se e sheh joserioze qasjen e qeverisë sa i përket çështje së dialogut me Serbinë.

Madje, ai ka thënë se Kosovës nuk i konvenon status-quoja dhe se kjo është në favor veç se te Rusisë.

Murati ka thënë se nuk beson që kryeministri Akbin Kurti do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje me shtetin fqinjë, kjo për shkak të mungesës së guximit.

“Sa i përket dialogut unë shoh jo seriozitet total të gjithë akterëve. Kosova do të duhej të ishte më e interesuara që të jemi aktiv në dialog. Neve nuk na konvenon status-quoja. Këtë e tha edhe ndihmësekretarja e shtetit në vizitën e fundit kur tha se status-quoja i konvenon Rusisë. Qeveria jonë ka ngecur në këtë status-quo dhe po i  pëlqen”.

“Zotëri Kurti ka ardhur në pushtet edhe duke e kritikuar gjithë procesin e dialogut. Dhe për aq sa e lexoj politikën e tij nuk besoj që ai do të nënshkruaj diçka dhe kjo është mungesë e guximit dhe bërja e politikës duke u bazuar në populizëm. Ne kemi nevojë për politikan të guximshëm që dinë çka duan dhe që na nxjerrin nga situata e status-quo në të cilën jemi”, ka thënë Murati.

Megjithatë, Murati ka theksuar se nuk sheh interesim as nga Serbia dhe BE-ja që të ecet përpara me arritjen e një marrëveshje finale.

“Nuk shoh interesim as nga Serbia sepse ajo është e interesuar për bisedime teknike si kjo për targa të cilat nuk janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Nuk shoh dinamikë edhe te BE. Krejt ky proces e ka një element të ri që mund të shpejtojë dhe është faktori amerikan që po dërgojnë sinjale të qarta se nuk duan status-quo dhe kjo mund ta ndryshojë dinamikën”, ka thënë Murati, duke shtuar se nga vizita e kryeministrit Albin Kurtit në ShBA nuk sheh ndonjë rezultat sepse nuk ka takime të nivelit të lartë.

“Ne duhet të shohim përfundimin e vizitës së Kurtit në ShBA. Nuk ka takime të nivelit të lartë dhe së paku niveli që do të duhej të pritej kryeministri është i sekretarit të shtetit. Dhe çdo gjë tjetër është e pakuptimtë. Nuk është e arritur nëse takon Eskobar në Uashington sepse Eskobar e ka punë Kosovën”.

“Mendoj që nëse mbetet ky nivel i takimeve është mesazh i administratës amerikane që Kosova e ka në raport me dialogun. Dhe lidhet edhe me projekte të tjera që Kosova disi në mënyrë të ngurtë nuk u bë pjesë e gazit. Me nivelin e presidentit janë të rralla takimet që mund t’i bëjë Kosova. Ndodhin zakonisht në takime ceremoniale. Niveli i takimeve që do të duhej të pritej do të ishte së paku sekretari i shtetit Blinken”, ka thënë Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot zhvillohet ndeshja e tretë gjysmëfinale mes Pejës dhe Trepçës…