Murati thotë se ndryshimi i kufijve vendos themelet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se po çuditet shumë me pohimet të cilat ai i quan absurde se ndryshimi i kufijve nënkupton nisjen e luftës.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se e vërteta është se nëse ndryshohen kufijtë, kjo mund të bëhet vetëm me marrëveshje dhe me bekimin ndërkombëtar.
“Dhe në këto rrethana, jo që do të ketë luftë, por do të vendosen themele serioze të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mes të shqiptarëve dhe serbëve”, ka thënë Murati.
Postimi i plotë i tij në “Facebook”:
Këto ditë nuk po pushoj së çudituri nga pohime absurde se ndryshimi i kufijve nënkupton luftë. Kështu po duan të tmerrojnë njerëzit e të krijojnë panik në opinionin publik se mund të kemi luftë dhe mund të destabilizojmë krejt Ballkanin.
E vërteta është se nëse ndryshohen kufijtë, kjo mund të bëhet vetëm me marrëveshje dhe me bekimin ndërkombëtar. Dhe në këto rrethana, jo që do të ketë luftë, por do të vendosen themele serioze të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mes të shqiptarëve dhe serbëve.
Ata që po i fryjnë frikës së një lufte të re nëse preken kufijtë, janë kryesisht ata që kanë investuar apo vetë janë produkt i investimit të konceptit multi-etnik të Kosovës (me mbi 92% shqiptarë!!!), si rrjedhim ata që kanë qenë pjesë e projektit të Kosovës ahtisariane (me pavarësi nga jashtë por jofunksionale brenda) dhe të krijimit të “njeriut të ri” – kosovarit ahtisarian, por edhe të tjerë naivë e ekzibicionistë medial e politik.