Murati tregon se për cilat çështje është urgjent konsensusi nacional
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, pas tryezës së organizuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka treguar se për cilat çështje të interesit nacional është i nevojshëm konsensusi urgjent.
Në profilin e vet në “Facebook”, Murati ka shkruar se prioritet duhet të ketë arritja e konsensusit për bisedimet me Serbinë dhe çështjen e reformës zgjedhore.
“Sot u mbajt tryeza e dytë e partive politike, kësaj radhe e organizuar nga PDK-ja, në të cilën përveç debatit për temat që konsiderohen të rëndësisë kombëtare dhe shtetërore, u fol edhe për formatin e vazhdimit të këtyre takimeve, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në një rutinë pa rezultat, por që t’i jepet një format i strukturuar. Kështu u pajtuam që të kemi një grup pune, të përbërë nga shefat e grupeve të partive parlamentare dhe një përfaqësuesi të partive joparlamentare, i cili do të caktojë temën konkrete, për të cilin do të diskutohet në tryezën e radhës. Personalisht mbajta qëndrimin se dy temat për të cilat do të duhej të trajtohen me urgjencë dhe të arrihet konsensusi janë bisedimet me Serbinë dhe çështja e reformës zgjedhore”, ka shkruar Murati.
/Epoka e re/